Maqedoni

PTHP: Punojmë në zbardhjen e rasteve

27.02.2024 15:42

Prokuroria Themelore Publike ka kryer kontrolle në Bllacë të Shkupit...

Prokuroria Themelore Publike ka kryer kontrolle në Bllacë të Shkupit, ku mbrëmjen e djeshme është gjetur një trup i pajetë me plagë nga armë zjarri. Ndërkohë nga Prokuroria thonë se po ndërmerren masa për të vërtetuar nëse kjo ngjarje ndërlidhet me zjarrin që është shkaktuar në një objekt kafeneje në Çair.

“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka kryer kontroll në vend në afërsi të Bllacës, ku është gjetur trupi i pajetë i një mashkulli me plagë nga armë zjarri. Gjatë kontrollit janë marrë gjurmë, të cilat do të jenë objekt i ekspertizës. Është lëshuar urdhër për autopsi ndaj trupit të të ndjerit, ndërsa prokurori publik ka dhënë udhëzime që të kryhen kontrolle dhe të ndërmerren veprime për sigurimin e provave. Sa i përket zjarrit në një objekt hoteliere në Çair, një ekip inspektues i MPB-së ka kryer kontroll. Nga vendi i ngjarjes janë mbledhur provat, janë siguruar pamjet e video sigurimit. Sipas informacioneve të para, zjarri është shkaktuar me qëllim. Po ndërmerren veprime për zbulimin e autorëve dhe për të verifikuar lidhjen e mundshme mes dy ngjarjeve.”, thonë nga Prokuroria.

Nga LSDM-ja kanë akuzuar VMRO-DPMNE-në se po dëshmon paaftësi të madhe në menaxhimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Ministri dhe kreu i SPB-Shkup, që i emëroi Mickoski tregojnë paaftësinë e madhe në drejtimin e MPB-së. DPMNE-ja dhe Toshkovski nuk kanë kapacitet për të zbardhur rastin. Siguria e qytetarëve është e kërcënuar për shkak të paaftësisë së tyre. Por ky rast nxjerr në pah edhe dyshime më të thella.”, - deklaroi Darko Kaevski nga LSDM.

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja pyesin se nëse LSDM-ja i lexon kumtesat e turpshme. "Është e turpshme dhe në kufi me marrëzinë të lëshohen njoftime ku LSD-ja akuzon Toshkovskin për fshehjen e një vrasjeje kur dihet se ato klane droge më parë kanë luftuar në mes të Shkupit, kanë vrarë dhe ekzekutuar brutalisht njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë janë ulur në prehër të Spasovskit.”.

Nga kjo parti theksojnë se LSDM-ja duhet t'i drejtohet zëvendësministrit të tyre në MPB, Bojmacaliev.

FLORIJE KAMBERI