Dokumentet personale, Toshkovski: Do të prodhohen 3,300 pasaporta në ditë
27.02.2024 16:28
Ministria e Punëve të Brendshme...

Ministria e Punëve të Brendshme punon për të bërë riorganizim dhe optimizim të plotë të procesit të përpunimit së pasaportave, si dhe procedurës për caktimin e termineve për fotografim.
Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një intervistë për MIA-N thotë se me vendosjen e orarit shtesë të punës, plani është që të arrihet numri maksimal prej 3,300 pasaportash të prodhuara në ditë për të mundësuar ndërrim më të shpejtë të dokumenteve.
“Po shqyrtojmë mundësinë që të arrijmë një shifër maksimale prej 3,300 pasaporta që do të prodhoheshin pa pasur asnjë ndalesë gjatë ditës. Nëse fillohet me punë një orë paraprakisht dhe vazhdohet afati për një orë shtesë, kjo do të thotë të fillohet me punë nga ora 6 e mëngjesit deri në ora 22. Kjo do të thotë se për dy orë në ditë është rritur kapaciteti i prodhimit, do të shtypet edhe të shtunën dhe të dielën.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
LSDM: Nuk vazhdohet afati i vlefshmërisë së pasaportave
Por, nga LSDM-ja thonë se nuk do të ofrojnë mbështetje për vazhdimin e afatit të vlefshmërisë së pasaportave dhe se nuk duan të shkelin Marrëveshjen e Prespës.
Sipas tyre, zgjidhja e vetme është që Toshkovski të punojë më mirë dhe të lëshojë më shumë pasaporta.
Baumgartner për lëvizjen e qytetarëve: Nuk është problem kthimi, por dalja nga shteti
Shtetet që janë pjesë e Zonës Shengen duhet të koordinohen maksimalisht, potencon ambasadori i Francës në RMV, Kiril Baumgartner, duke shtuar se duhet të respektohen parime të caktuara.
“Shtetasve të Maqedonisë, por edhe të gjithë shtetasit tjerë në botë, nuk mund t’u ndalohet të kthehen në territorin e tyre apo në vendin e tyre, por për të dalë nga shteti nëse nuk posedon pasaportë do t’i ndalohet të lëvizë nga shteti amë.”, - theksoi ambasadori i Francës në RMV, Kiril Baumgartner.
Sa i përket pasaportave, Greqia është i vetmi vend anëtar i BE-së që ka dhënë mendimin se nuk pranon dokumente udhëtimi me emrin Republika e Maqedonisë. Sipas informacioneve të fundit, me pasaportat e vjetra do të mund të udhëtohet në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Shqipëri. (Flutura Latifi, TVM2)
