Zelenski viziton Tiranën, të mërkurën do të mbahet Samiti për Ukrainën

27.02.2024 19:00

Tirana do të mirëpresë për herë të parë....

Tirana do të mirëpresë për herë të parë një Samit më datë 28 shkurt, dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë pasi u shënua 2-vjetori i nisjes së agresionit rus atje. 
 
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski do të vizitojë Shqipërinë për herë të parë dhe pritet që të mbërrijë në Tiranë mbrëmjen e sotme. Me këtë rast, masat e sigurisë janë të shtuar, ndërsa do të ketë edhe bllokime të disa rrugëve.
 
Lideri ukrainas do të jetë i pranishëm nesër në Samit, ku do të marrin pjesë edhe disa nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore.
 
Në agjendën e tij, presidenti i Ukrainës pritet të ketë disa takime bilaterale, mes të cilave me kryeministrin, Edi Rama; presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla; megjithëse detajet e vizitës, nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht, për shkak të nivelit të lartë të sigurisë mbi të cilin do të zhvillohet kjo vizitë.
 
Pjesë e këtij samiti, përmes një video-mesazhi do të bëhet edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, siç njoftoi vetë kryeministri, Edi Rama, nga Ankaraja më 20 shkurt. Punimet pritet të zhvillohen në ambientet e pallatit të Kongreseve, aty ku do të mbahet ceremonia pritëse, ndërsa në përfundim të sesioneve të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.
 
Më datë 29 shkurt do të vijohet me një tjetër samit, atë të Ballkanit Perëndimor ku do të marrin pjesë liderët e 6 vendeve të rajonit.
 
Fokusi i këtij takimi do të jetë tek plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit evropian, ndërsa pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen. (Luljeta Ndoka, TVM2)