Kremlini paralajmëron përplasje me NATO-n

27.02.2024 22:19

Kremlini ka paralajmëruar...

Kremlini ka paralajmëruar se një konflikt i drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe NATO-s do të jetë i pashmangshëm nëse anëtarët evropianë të Aleancës dërgojnë trupat e tyre në Ukrainë.
 
Nëse dërgoni trupa në Ukrainë, do të hyni në konflikt të drejtpërdrejtë me ne, kërcënoi Kremlini pas deklaratave të presidentit francez Macron. 
 
Duke hedhur poshtë mundësinë e veprimit ushtarak nga NATO, kreu i Aleancës përsëriti se Rusia po shkel rëndë ligjin ndërkombëtar dhe Kievi ka të drejtën e vetëmbrojtjes.

Edhe Berlini kundër Parisit – nuk do të dërgohen trupa në Ukrainë. 
 
Kievi në mënyrë të pashmangshme ka nevojë për ndihmë ushtarake për të mposhtur Rusinë , komentuan kryeministrat e Republikës Çeke dhe Polonisë në një takim në Pragë, duke përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave. 
 
Më herët, në konferencën për Ukrainën në Paris, Macron tha se nuk ka konsensus për dërgimin e trupave nga vendet evropiane në Ukrainë, por theksoi se "asgjë nuk duhet të përjashtohet". 
 
Rreth 20 liderë evropianë morën pjesë në samitin në Paris për t'i dërguar një mesazh presidentit rus Putin se Evropa është e vendosur të ndihmojë Ukrainën.