Sindikatat e pesë universiteteve shtetërore kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjes kolektive
28.02.2024 13:51
Sindikata e Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip....

Sindikata e Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, Universitetit të Tetovës, Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit”-Manastir, Sindikata e të Punësuarve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe Sindikata e të Punësuarve në Universitetin e Shkencave Informatike dhe Teknologjike “Shën Apostol Pavle” në Ohër kërkojnë nënshkrimin e Marrëveshjes kolektive me themeluesin Kuvendin Republikan.
Në komunikatën e këtyre sindikatave thuhet se propozim-teksti i Marrëveshjeve Kolektive prej të gjitha universiteteve publike është dorëzuar në Kuvend, shumë më herët para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, por konsiderojnë se padrejtësisht dhe jo me fajin e tyre nuk është nënshkruar.
“Për këto shkaqe kërkojmë që më së voni deri më 08.03.2024 të kryhet procedura dhe të fillohet me nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive me secilin universitet në vete. Njëkohësisht, theksojmë se me mosnënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive, të punësuarit e universiteteve të tjera publike vihen në pozitë të pabarabartë në raport me të drejtën, në veçanti në fushën e pagave dhe përfitimeve. Për këtë konsiderojmë se padrejtësisht jemi diskriminuar. I bëjmë thirrje Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut që në mënyrë aktive të përfshihet në zgjidhjen e këtij problemi, sepse në këtë mënyrë shkelen themelet e vlerave thelbësore dhe parimet kushtetuese për barazi dhe mosdiskriminim të qytetarëve.”, thuhet në reagimin e sindikatave të pesë universiteteve.
Ata njëherit kërkojnë takim te kryeministri, Talat Xhaferi, për ta njoftuar me këtë kërkesë. Reagimi i tyre vjen pasi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka deklaruar se rritja e pagave për 22% nuk ka të bëjë vetëm me stafin akademik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, por për të gjithë të punësuarit në të gjitha universitetet shtetërore.
Ai njëherit ka sqaruar se të njëjtit paraprakisht duhet të nënshkruajnë marrëveshjet kolektive me Kuvendin. (Gyltene Sinani, TVM2)
