Teksas, zjarre të mëdha kapluan shtetin amerikan

28.02.2024 14:17

Shteti amerikan i Teksasit...

Shteti amerikan i Teksasit shpalli gjendjen e katastrofës për shkak të zjarreve të mëdha pyjore që dolën jashtë kontrollit, ndërsa mijëra banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre.
Katër zjarre në pjesën veriore të shtetit, të njohur si Texas Panhandle, shpërthyen të hënën duke djegur tashmë 240 mijë hektarë tokë, thanë zyrtarët lokalë. 
 
Flakët u përhapën me shpejtësi në pyje të ndihmuara nga erërat me shpejtësi midis 64 dhe 96 kilometra në orë dhe kushtet e motit të thatë dhe jashtëzakonisht të ngrohtë.
 
Deri më tani 5,000 banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe pritet që urdhri për evakuim të lëshohet për më shumë njerëz pasi zjarret vazhdojnë të përhapen. 
 
Uzina kryesore që monton dhe çmonton arsenalin bërthamor të Amerikës e mbylli veprimtarinë e saj të martën në mbrëmje.
 
“Ne kemi evakuuar personelin tonë jothelbësor nga vendi me shumë kujdes dhe maturi. Ne kemi një repart zjarrfikës të pajisur mirë që është trajnuar për këto skenarë dhe është duke vëzhguar në vend dhe është gati nëse do të paraqitet ndonjë lloj emergjence reale në uzinë.”, - deklaroi zëdhënësi i Zyrës së Prodhimit të Administratës Kombëtare të Sigurisë Bërthamore në Pantex, Laef Pendergraft. 
 
Zjarret kanë shkatërruar mbi 1 mijë banesa dhe rreth 48 mijë hektarë tokë. Zjarrfikësit aktualisht janë duke shuar 13 zjarre në të gjithë shtetin. Shumë rrugë dhe autostrada në rajon janë mbyllur për shkak të zjarreve dhe tymit duke pamundësuar dukshmërinë. 
 
Paralajmërimet për zjarre janë në fuqi për shtetet e Teksasit, Oklahomës dhe Kansasit. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)