Konflikti në Gazë, në pritje të armëpushimit që paralajmëroi Bajden
28.02.2024 14:43
Edhe pse presidenti i ShBA-së, Xho Bajden...

Edhe pse presidenti i ShBA-së, Xho Bajden paralajmëroi se është e mundshme një arritje e marrëveshjes deri në fund të javës, Izraeli, Hamasi dhe Katari nuk konfirmojnë një gjë të tillë. Bisedimet po zhvillohen në mënyrë intensive, por ende nuk ka asgjë konkrete.
“Ne po bëjmë presion të fortë për të zbatuar propozimet që janë bërë dhe marrëveshjen që u bë në Paris. Mbetemi optimistë për rezultatin e këtij ndërmjetësimi, por aktualisht nuk ka zhvillime të veçanta që mund të njoftohen.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari.
Uashingtoni pohon se një marrëveshje është e mundur së shpejti, por Hamasi do të duhet të vendosë për këtë.
"Mbështetja e optimizmi i presidentit shihet në konturet e gjëra të marrëveshjes. Ne po bëjmë presion për të përfunduar, por në fund, një pjesë e kësaj varet nëse Hamasi është i gatshëm të pajtohet me një marrëveshje që ofron përfitime të rëndësishme për popullin palestinez që ata pretendojnë se përfaqësojnë.", - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
Ndërmjetësuesit kanë kërkuar për javë të tëra një formulë paqeje që mund të ndalojë ofensivën shkatërruese, kësaj here para muajit të shenjtë të Ramazanit. Ndërkohë në Gazë vazhdojnë sulmet. Tensionet po rriten edhe në kufirin libano-izraelit. Nga ana tjetër, OKB-ja del me apel për gjetje të zgjidhjes.
“Ngjarjet mund të kërcënojnë zgjidhjen politike të këtyre armiqësive. Ka një zgjerim dhe intensifikim të sulmeve dhe kjo po ndryshon jetën e dhjetëra mijëra civilëve në të dy anët e vijës blu. Të gjitha palët e përfshira duhet të pushojnë armiqësitë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.", - u shpreh zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujarriq.
OKB-ja paralajmëron gjithashtu për urinë ekstreme me të cilën përballen civilët në Gazë. Kamionët e ndihmave po sulmohen me armë zjarri dhe plaçkiten përgjatë rrugës. Franca, Jordania dhe Egjipti po japin ndihma nga ajri. Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu ndihmë shtesë prej 53 milionë dollarësh. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)
