Maqedoni

Përfundimi i masës për çmime të garantuara, Bytyqi: Nuk do të lejohen çmime enorme

28.02.2024 17:13

Prej pasnesër nuk do të ketë më çmime të garantuara të produkteve bazë...

Prej pasnesër nuk do të ketë më çmime të garantuara të produkteve bazë nëpër marketet e vendit. Kjo ka ngritur shqetësimet për rritje eventuale të çmimeve, por zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, siguroi se çdo rritje e çmimeve jashtë logjikës normale të tregut do të sanksionohet.
 
“Secila sjellje joetike nga çdo tregtar do të dënohet në mënyrën më serioze, se çfarë do të thotë ajo e dimë nga e kaluara. Inspektorati i tregut te punës prej pasnesër do të jetë në terren dhe për çdo rritje të çmimeve të cilat dalin nga secila logjikë normale e tregut, do të reagoje dhe kjo nuk do të thotë se nëse në Kuvend nuk ka bindje për sjelljen e Ligjit për praktikë jo fer tregtare, ne si Qeveri nuk do të reagojmë. Ne vlerësojmë se më në fund në vend është mësuar leksioni nga tregtarët dhe përveç bërjes biznes dhe krijimit të profitit, duhet të ketë moral dhe etikë tek kompanitë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
LSM: Duhej të vazhdonin çmimet e garantuara
 
Ndërkohë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë shprehen të befasuar nga një vendim i tillë, për shkak se në të kaluarën pas heqjes së këtyre masave ka pasur rritje të çmimeve. Informojnë se nga 57 mijë denarë sa është shporta konsumatore, 20 mijë denarë harxhohen vetëm për produktet ushqimore bazë.
 
“Jemi të befasuar ne si Lidhje e Sindikatave, por edhe qytetarët si dhe ekspertët nga një vendim i tillë i Qeverisë, që të mos i vazhdojë masat të cilat siguronin kufizimin e çmimeve të produkteve bazë. Nëse e kemi parasysh shportën konsumatore të cilën e përllogarit Lidhja e Sindikatave, pjesën më të madhe e marrin produktet ushqimore bazë apo shpenzimet, për këtë qëllim janë mbi pagën minimale apo 20 mijë denarë. Vlerësojmë se hapi është i gabuar që të tërhiqet masa për çmimet e garantuara, për shkak se tregtarët janë të pangopur dhe egoist, si dhe është bërë pa konsultim të ekspertëve.”, - theksoi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
 
Qeveria pret që keqpërdorimeve në përcaktimin e çmimeve, fund do t’u jep propozim-ligji për praktikat jo fer tregtare, i cili është në procedurë parlamentare. Se shfuqizimi i kësaj mase do të ndikojë në rritjen apo uljen e çmimeve mbetet të shihet. 
 
GAZMEND KURTISHI