“Bomba XVII në Prilep”, gjoba bizneseve të opozitës për hakmarrje politike

04.04.2015 15:12

Opozita maqedonase ka vazhduar publikimin e materialeve kompromituese kundër pushtetit....

Bomba e rradhës, e publikuar në Prilep, ishin biseda të zyrtarëve të lartë të VMRO DPMNE-së, të cilat sipas LSDM-së janë siguruar nga skandali i përgjimeve në masë.

Nga bisedat e publikuara sot, kuptohet hakmarrja politike që VMRO i bën opozitës maqedonase, në Prilep, duke ia gjobitur bizneset.

“Do të ndëgjoni se si prilepasit duhet të votojnë dhe do të hedhin valle. Do të ndëgjoni se prilepasit nuk do të kenë rehati nga ky pushtet jo vetëm në Prilep, por edhe jashtë qyteti” – tha Sasho Velevski, kryetar i LSDM-së, dega Prilep.

Në bisedat kuptohet gadishmëria për hakmarrje që ka kreu i Komunës së Prilepit, për të gjobitur kompanitë dhe lokalet në pronësi të anëtarëve të LSDM-së.

Në këto biseda, Marjan Risteski, Mile Janakieski dhe Zoran Stavrevski madje flasin për hartimin e ndonjë program se si të gjobiten bizneset e anëtarëve dhe ithtarëve socialdemokratë, që kanë punuar kundër interesave të VMRO-së, në Prilep, pasi sondazhet tregojnë se popullariteti i VMPO DPMNE në këtë qytet po shënon rrënie të dukshme.

“Bëni program, parashtroje në Këshill dhe pastaj bjeri…Këta “rregulloi” ngadal, pas dy javësh “rregulloi” këta të tjerët…” – Mile Janakievski, ministër i Transportit.

Opozita ripërsëriti edhe një herë bisedën mes ministres së brendëshme Gordana Jankullovska dhe Martin Protugjer, shefi i kabinetit të kryeministrit, ku kryepolicja tregon se i ka cuar në kontroll teknik pesë autobusë nga Prilepi që ishin nisur për në protestën e opozitës.  

Pas “shpërthimit” të bombës së 17 opozita realizoi një marsh protestues në rrugët e Prilepit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)