Situata e sigurisë në rajon, Xhaferi: Ka gjasa për shpërthim në Ballkan

29.02.2024 14:00

NATO-ja është garanci për sigurinë në rajon....

NATO-ja është garanci për sigurinë në rajon, vlerëson kryeministri i vendit, Talat Xhaferi, sipas të cilit, duke pasur parasysh zhvillimet si ai në Banjskë të Republikës së Kosovës apo armatosjen e Serbisë, mundësia për një shpërthim eventual në Ballkan ekziston gjithnjë. Këto qëndrime, kryeministri Talat Xhaferi i shpalosi në një intervistë për TV “A2 CNN” të Shqipërisë.
 
“S’do mend që çdo një prej vendeve individualisht, duke i pasur parasysh të gjitha aspektet e asaj që shohim dhe deklarohet nga institucionet përkatëse të Serbisë, është sinjal për të gjithë që situata nuk është ashtu siç e mendojmë në rrafshin politik, por mundësia për një shpërthim eventual ekziston gjithnjë dhe për atë arsye duhet të jemi vigjilent të gjithë ne që bëjmë pjesë në vendimmarrje për çështjet e sigurisë rajonale, vendeve përkatëse dhe globale në përgjithësi.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi: RMV-ja, Kosovën e njeh në kufijtë e saj
 
Xhaferi njëherit theksoi se Maqedonia e Veriut e ka njohur Republikën e Kosovës në kufijtë e saj dhe vazhdojmë të mbështesim sovranitetin e saj.
 
“Çështja e ngjarjes së Banjskës është akt për të cilin janë deklaruar institucionet përkatëse të Kosovës që kanë edhe kompetencën bazë për të vlerësuar dhe për të publikuar gjendjen faktike të asaj situate. Duke qenë pjesë përbërëse e KFOR-it në Kosovë, duke pasur parasysh bashkëpunimin bilateral të institucioneve përkatëse të vendeve të ndërsjella, s’do mend se informacione të caktuara kam dhe kemi edhe ne si institucione. Në kontekst të ngjarjeve në mënyrë të menjëhershme si institucione shtetërore kemi dalë në mbështetje të situatës dhe gjendjes dhe veprimit të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saja, me vet faktin që është përgjegjësi e tyre për të ushtruar sovranitet të plotë në territorin e saj.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi.
 
Jo rastësisht, të gjithë jemi pjesë e koalicionit evropian në sanksionet kundër Rusisë, përjashtuar Serbinë, u shpreh kryeministri, Xhaferi. (Gyltene Sinani, TVM2)