Masa “çmime të garantuara” skadon në mesnatë, qytetarët i frikohen “fryrjes” së çmimeve

29.02.2024 14:30

Nga një marsi qytetarët...

Nga një marsi qytetarët më nuk do të shohin nëpër raftet e marketeve ngjitësen “çmime të garantuara”.  Buka, kosi vezët, qumështi, makaronat, djathti dhe disa produkte të tjera do t’i blejnë me çmime të reja, pasi që në mesnatën e së enjtes, zyrtarisht skadon masa e çmimeve të garantuara. 
 
Qytetarët janë të vetëdijshëm se kjo gjë do të godet xhepin e tyre, por për sa do të rëndohet buxheti i tyre mbetet për t’u parë nga dita e nesërme, thanë ata.
 
“Po, kuptohet se do të rriten çmimet e disa produkteve ushqimore. Pavarësisht që kishim në fuqi masën e “çmimeve të garantuara” ne ishim dëshmitarë të rritjes së çmimeve të disa produkteve, ndoshta jo aq shumë, por megjithatë vërenim rritje të disa produkteve, por tani sa do të jetë kjo rritje do të shohim.”, - tha një qytetare.
 
“Mendoj se do të rriten çmimet e disa produkteve.”, - tha një qytetar.
 
“Edhe sikur t’i rrisin çmimet, përsëri do t’i ulin ato ose do të ofrojnë aksione, sepse realisht nuk do të kenë blerës në treg.”, - u shpreh një qytetare.
 
Pavarësisht se kjo masë nuk do të vazhdohet më, kjo nuk do të thotë se tregtarëve do t’u lejohet të bëjnë çfarë të duan me çmimet. 
 
Rendevska: Inspektorët do ta ndjekin situatën
 
Kryetarja e Këshillit Inspektues, Daniella Rendevska, thotë se pavarësisht se kompetencat e inspektorëve janë të kufizuara sa i përket kontrollimit të çmimeve, inspektoratet do të vëzhgojnë situatën në terren dhe do të kontrollojnë faturat doganore të importit të mallrave të gatshme për shitje dhe do të mundohen të parandalojnë çdo sjellje joetike të tregtarëve.
 
“Jemi dëshmitarë se Inspektorati Shtetëror i Tregut gjatë periudhës së kaluar ka qenë vazhdimisht në terren dhe këtë gjë më së shumti e kanë vërejtur  qytetarët, sepse vazhdimisht i kemi kontrolluar çmimet e garantuara. Tani pak të lemë në ndërgjegjen e subjekteve apo marketeve se si do të sillen pasi që nuk do të kemi masën e çmimeve të garantuara. Jemi në pritje të miratimit të zgjidhjes sistemore, respektivisht miratimit të ligjit për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare. Kuptohet se inspektorët e Inspektoratit  Shtetëror të Tregut do ta ndjekin situatën në terren dhe po shpresojmë se marketet do të jenë në funksion të plotë për qytetarët.”, - theksoi kryetarja e Këshillit Inspektues, Daniella Rendevska.
 
Këto komente u thanë gjatë prezantimit të efekteve nga vendosja e sistemit informativ për mbikëqyrje inspektuese “E insepktor”, i cili gjatë muajit mars në këtë sistem do të kyçen të gjitha inspektoratet shtetërore në të, ku bashkërisht do të  veprojnë në terren. (Rexhep Qamili, TVM2)