Lufta në Gazë, Bota në alarm për kushtet ekstreme humanitare
29.02.2024 14:57
Pas më shumë se 4 muajsh luftë në Gaza....

Pas më shumë se 4 muajsh luftë në Gaza, ka shpresa se mund të arrihet një armëpushim. Pas Uashingtonit, edhe Kajroja është optimiste për arritjen e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Hamasit.
Derisa bisedimet intensifikohen, civilët janë të dëshpëruar dhe pa shpresa për rezultat. I tillë është rasti me 12-vjeçaren Malak, e cila shet patatina për t’i bërë ballë luftës së përditshme për ushqim.
“Ne kishim një jetë normale, me gjithçka që na duhej, nuk ishim të rraskapitur si tani. Luanim, mësonim dhe argëtoheshim. Ditët tona tani janë kthyer në luftë.”, - u shpreh vajza e zhvendosur, Malak Al Deirbi.
Komuniteti ndërkombëtar është në alarm për kushtet ekstreme humanitare dhe urinë në enklavë. Ai kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
“Njerëzit nuk kanë siguri, nuk kanë stabilitet. Është gjithnjë e më e vështirë për ta që të marrin ndihmën humanitare që u nevojitet. Nevojat po rriten me një ritëm astronomik.”, - deklaroi drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Migracionit e OKB-së, Emi Pop.
"Prioriteti kryesor tani është nxjerrja e pengjeve nga Gaza dhe sjellja e ndihmave humanitare, dhe për këtë ne kemi nevojë për pushim urgjent humanitar.", - theksoi ministri i Jashtëm i Austrisë, Aleksandër Shalenberg.
Një armëpushim në Gazë do të zgjidhte shumë çështje - pajtohen Shtetet e Bashkuara. Ata po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të ndihmave me avionë ushtarakë.
“Marrëveshja do të ndihmonte shumë në çështjen e shpërndarjes së ndihmës humanitare. OKB-ja nuk mund të japë ushqime dhe ndihma të tjera për shkak të gjendjes së sigurisë.", - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i ShBA-së, Methju Miller.
Franca, Jordania dhe Egjipti kanë vazhduar dërgesat e ndihmave ajrore, ndërsa luftimet vazhdojnë. Tensionet me Hezbollahun në territorin libanez po rriten gjithashtu.
Ndërmjetësuesit kanë kërkuar për javë të tëra për një formulë paqeje që mund të ndalojë ofensivën shkatërruese, këtë herë përpara muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit. (Fitore Demolli, TVM2)
