VMRO-DPMNE: Pendarovski nuk ka kredibilitet për president
Bordi ekzekutiv i LSDM-së....

Bordi ekzekutiv i LSDM-së i dha dritë jeshile Stevo Pendarovskit që të hyjë për herë të dytë në garë për t'u rizgjedhur presidenti i shtetit. Rikandidimi i tij nuk u prit mirë nga rivali i tyre, VMRO-DPMNE.
Sipas tyre, Pendarovski nuk ka kapacitet dhe kredibilitet për të qenë president i shtetit, sepse gjatë mandatit të tij është treguar i dobët.
“Stevo Pendarovski si president u tregua jashtëzakonisht i dobët, shpesh i mohuar nga bashkëpunëtorët e tij, Qeveria apo edhe ai vetë pas disa orësh apo disa ditësh. Me Stevo Pendarovskin, Maqedonia mund të kthehet vetëm prapa, drejt poshtërimeve dhe disfatave të reja. Stevo Pendarovski shkel dinjitetin e popullit dhe të shtetit.”, - deklaroi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
Pendarovski drejtuar DPMNE-së: Në mungesë të ideve më diskreditoni mua
Në komunikatën e kabinetit të presidentit thuhet se VMRO-DPMNE, në mungesë të ideve për qytetarët, vazhdon të përdorë zhargonin e rrugës duke tentuar të diskreditojë presidentin Stevo Pendarovski dhe kredibilitetin e tij. “
“Qytetarët e dinë mirë se kush është presidenti Pendarovski, i cili është vazhdimisht transparent, i hapur dhe mes qytetarëve. Me këtë lloj komunikimi politik, VMRO-DPMNE nuk do të arrijë asgjë. Nëse janë një opsion serioz politik që ka ofertë për qytetarët, rekomandojmë që të fokusohen në atë, e jo në politikë të imët.”, – thuhet në komunikatën e kabinetit të Presidentit.
Pretendentët për kandidatë për president vijojnë me grumbullimin e nënshkrimeve. Pasi Bujar Osmani, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrievski mblodhën 10 mijë nënshkrimet e nevojshme për kandidaturat presidenciale, edhe dy prej kandidatëve të tjerë janë shumë afër kësaj shifre.
Ka shumë gjasa që kandidatja e së Majtës, profesoresha Biljana Vankovska,të arrijë t'i mbledhë nënshkrimet, pasi sipas listës së fundit të KShZ-së, asaj i mungojnë më pak se një mijë nënshkrime për të plotësuar detyrimin ligjor që të regjistrohet në listën zgjedhore.
Po rritet edhe numri i nënshkrimeve për kandidatin e GROM-it, Stevço Jakimovski. Ai ka rreth 8,000 nënshkrime nga qytetarët.
Në situatë të vështirë janë 5 kandidatë, pasi sipas listës së KShZ-së ata kanë marrë më pak se një mijë nënshkrime. Ndërsa kandidati Tome Nikoloski vazhdon të mbetet me 0 nënshkrime. (Sanije Duraku, TVM2)
