Tiranë, Samit rajonal për planin e BE-së për rritje
Një ditë pas Samitit për Ukrainën...

Një ditë pas Samitit për Ukrainën, në Tiranë u mbajt edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor, me fokus planin e Rritjes së BE-së. Në takim, Rama shprehu ambicien e Shqipërisë për të aplikuar në qershor në zonën e pagesave në euro.
“Me planin e ri të rritjes është e qartë, ose do të bëjmë përpara të gjithë bashkë ose do të dështojmë. Ose e bëjmë se bashku ose dështojmë të gjithë së bashku. Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, zonës evropiane të përbashkët të pagesave, do të ulim me gjashtë herë tarifat e qytetarëve tanë që ndodhen jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se do të ulë 6 herë koston e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë, ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë bilioni euro në xhepat e njerëzve.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Komisionari për zgjerimin, Oliver Varheji, njoftoi të gjitha dakordësitë e gjetura në samit.
“Sot patëm marrëveshje për 4 fusha. E para ka të bëjë me SEPA, shikojmë se vendet po përgatiten për këtë gjë. Nuk do të jetë e vështirë, sepse sistemi bankar ka banka evropiane. Mendoj që ka pasur dakordësi që kjo gjë do të arrihet sivjet. E dyta ka të bëjë me korsitë e gjelbra, të heqim të gjithë kohën e pritjes në pikat kufitare. E treta ka të bëjë me punën kërkimore shkencore, të sjellim brezin tjetër të industrive të ndryshme në rajon. E fundit, rrjetin falas të internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Duhet t’i pajisim bashkitë me të gjithë mjetet e duhura që ta realizojmë këtë sivjet.”, - theksoi komisionari për Zgjerimin, Oliver Varhej.
Plani i ri i rritjes është platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen e Ballkanit në BE, ndërsa kryeministri Rama e ka të qartë se kur vendet do të jenë gati.
“Ne duam të anëtarësohemi brenda 5-6vitesh, se ç’janë vendet e tjera kjo nuk na takon ne.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fjalën e tij në samit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi mbështetjen e fuqishme për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si është mekanizmi më ambicioz i propozuar nga Komisioni Evropian që nga fillimi i procesit të integrimit evropian.
“Kjo përpjekje e përbashkët nuk është vetëm e dobishme për Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu përmirëson atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit. Na afron me tregjet e BE-së dhe lehtëson zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Në këtë drejtim, tregu i përbashkët rajonal ka hedhur bazat për forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe nismave të përbashkëta ekonomike.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi.
Për shkak të angazhimeve në Samit mungoi fizikisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë përmes teknologjisë online. (Luljeta Ndoka, TVM2)
