Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, PE: Të hiqen masat kufizuese ndaj Kosovës
01.03.2024 13:02
Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian...

Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian për heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës. Kështu thuhet në Rezolutën e miratuar të enjten nga Parlamenti Evropian.
Në këtë Rezolutë po ashtu i bëhet thirrje BE-së që të miratojë një qasje të balancuar për ndërmjetësimin ndërmjet palëve në dialog në mënyrë që të kapërcehet ngërçi aktual.
PE-ja mbështet normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që “të angazhohen në dialog me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në njohjen reciproke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në një ndër pikat e kësaj Rezolute.
“Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për masat kufizuese të vendosura nga Këshilli kundër Kosovës dhe bën thirrje për heqjen e menjëhershme të tyre; i bën thirrje BE-së që të miratojë një qasje të balancuar për ndërmjetësimin ndërmjet palëve në mënyrë që të kapërcehet ngërçi aktual, kujton se dështimi i Dialogut do të kishte gjithashtu pasoja për rolin e BE-së si një lojtar i besueshëm i politikës së jashtme.”, thuhet ndër të tjera në Rezolutën e PE-së.
Në të njëjtën Rezolutë, Parlamenti ka bërë thirrje që të ndërmerren masa ndaj Serbisë nëse rezulton se është përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë.
