Shqipëri, në Kuçovë mbërrijnë 3 dronë të blerë nga Turqia
01.03.2024 13:47
Pak ditë nga inaugurimi i bazës së NATO-s...

Pak ditë nga inaugurimi i bazës së NATO-s, në Kuçovë kanë mbërritur 3 dronët bajraktar të blerë nga Turqia.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një reagimi në rrjetet sociale bëri të ditur se dronët Bajraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, janë vendosur tashmë në bazën e Kuçovës.
Sipas ministrit Peleshi prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre.
“Ky zhvillim, jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes. Kjo arritje është simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Ndërkohë baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë do të inaugurohet të hënën e 4 marsit. Në ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të NATO-s, si dhe ministrat e Mbrojtjes së Turqisë e Italisë.
Fjala hapëse do të mbahet nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e më pas fjalimet do të vijojnë me përfaqësuesen e NATO-s, Stacy Cummings, kryeministrin Rama dhe presidentin Bajram Begaj. Në fund të ceremonisë do të ketë edhe një spektakël në ajër të avionëve.
Për këtë bazë nga NATO-ja janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare. (Luljeta Ndoka, TVM2)
