Nisma “Ballkani i hapur”, punësime pa barriera në Shqipëri, RMV dhe Serbi
01.03.2024 16:00
Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë apo Serbisë....

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë apo Serbisë prej sot mund të punësohen në cilindo nga vendet e nismës së “Ballkanit të hapur” me procedura shumë të thjeshta dhe pa pasur barriera të mëdha administrative.
Prej 1 mars hyri në fuqi marrëveshja për “Ballkanin e hapur”, përmes së cilës qytetarëve nga Ballkani Perëndimor u mundësohet të punësohen në një nga këto tre vendet fqinje me të njëjtat kushte si shtetasit vendas të vendit të tyre në afat dyvjeçar me mundësi për të vazhduar qëndrimin e tyre.
Për të konkurruar dhe punësuar jashtë vendlindjes, shtetasit paraprakisht do të duhet të marrin nga institucionet e vendit amë numrin e vetëm për identifikim të quajtur “ID Open Ballkan”. Procedura për të fituar këtë është e thjeshtë, përmes plotësimit të formularit në formë elektronike në ueb - faqen e drejtorisë për të hyra publike “E Drejtoria”, e cila më pas shqyrton dhe lëshon identifikimin ID.
I pari që fitoi këtë ID identifikim është kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, i cili prej sot mund të jetojë dhe të punojë në Serbi, Maqedoninë e Veriut apo Shqipëri.
Përparësitë nga zbatimi i nismës të tregut unik të punës në Ballkanin Perëndimor janë të shumta për të gjithë shtetasit e këtyre vendeve, pasi që ata më integrohen në tregun prej 11 milionë shtetasve, ku njëherit do të amortizohet edhe mungesa e fuqisë punëtore me të cilën përballen këto shtete. (Rexhep Qamili, TVM2)
