Sulmi në Gazë, kërkohet një hetim i shpejtë dhe i pavarur

01.03.2024 17:38

Bota po kërkon përgjegjësi...

Bota po kërkon përgjegjësi pas një sulmi ndaj një autokolone humanitare në Rripin e Gazës. Po hetohen raportet se kush hapi zjarr ndaj palestinezëve që prisnin ndihmë humanitare. Më shumë se 100 njerëz vdiqën dhe qindra u plagosën. 
 
Organizatat ndërkombëtare po kërkojnë një hetim të shpejtë dhe të pavarur dhe një armëpushim të menjëhershëm.
 
“Ne i kemi parë raportet. Janë alarmante. Ne vazhdojmë të ritheksojmë se jeta e civilëve duhet të mbrohet. Siç ndoshta e dini, Shtëpia e Bardhë është në kontakt me qeverinë e Izraelit dhe po i kërkon atyre që të hetojnë menjëherë atë që ka ndodhur.”, - theksoi një zëdhënës i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder. 
 
Në një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara bllokuan një deklaratë të propozuar nga Algjeria dhe të mbështetur nga vendet arabe, e cila theksonte se Tel Avivi ishte përgjegjës për hapjen e zjarrit ndaj palestinezëve.
 
“Kjo masakër e turpshme është dëshmi e faktit se për sa kohë Këshilli i Sigurimit është i paralizuar dhe vë veton, atëherë i kushton popullit palestinez dhe jetës së tyre. Llogaridhënia është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe Këshilli i Sigurimit duhet të thotë mjaft. Ne kemi nevojë për një armëpushim.”, - u shpreh ambasadori i Palestinës në OKB, Rijad Mansour. 
 
Ushtria izraelite pretendon se u qëlluan të shtëna paralajmëruese për të zmbrapsur turmën që përpiqej të kapte me forcë ndihmën, por asnjë civil nuk u godit.
 
“Forcat e Mbrojtjes izraelite operojnë sipas rregullave dhe ligjit ndërkombëtar. Asnjë sulm izraelit nuk u nis kundër kolonës së ndihmave humanitare. Përkundrazi, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit ishin atje duke kryer një operacion humanitar për të siguruar korridorin humanitar.”, - deklaroi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari.
 
Komuniteti ndërkombëtar shpreh shqetësimin se situata aktuale vë në pikëpyetje armëpushimin e shpallur mes Izraelit dhe Hamasit. Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së dënon ashpër sulmin në Gaza, i cili mori jetën e shumë njerëzve të pafajshëm teksa prisnin ushqim rreth kamionëve me ushqime humanitare. 
 
“Një akt i tillë paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Ne bëjmë thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe dërgimin e pandërprerë të ndihmave humanitare. Respektimi i ligjit ndërkombëtar dhe humanitar është prioritet dhe civilët duhet të mbrohen plotësisht me çdo kusht.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
 
Konflikti në Lindjen e Mesme filloi pas ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës më 7 tetor, pasi Hamasi nisi një sulm ndaj civilëve. (Sedat Selimi, TVM2)