PNKOK: Është parashtruar propozim akuzë për Merkon
Në një brifing për gazetarët, Prokuroria për Krim të Organizuar....

Në një brifing për gazetarët, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion njoftoi se gjatë ditës së djeshme ka ngritur akuzë ndaj kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, për blerjen e veturës "Audi" prej 67 mijë eurosh.
Akuza bazohet në nenin 353, paragrafi 3 nga Kodi Penal, që ka të bëjë me keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dënimi për ketë vepër penale sipas Kodit Penal është prej një deri në 5 vjet burg. Nga PNKOK theksuan se presin përgjigje nga Gjykata Penale lidhur me propozim akuzën dhe për atë se nëse do ta kenë në kompetencë këtë rast apo do të duhet t’ia dorëzojnë Gjykatës së Strugës.
Nga Prokuroria theksojnë se iniciativat janë të shumta, por nuk është doemos të ketë aktakuzë.
Sa i përket akuzave të përhershme të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit se prokuroritë nuk po i procesuojnë iniciativat e tyre, nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit theksojnë se i kanë shkruar të njëjtat, por që nuk ka pasur bazë për të vepruar më tutje.
Sa i përket mbikëqyrjes që ka të bëjë me furnizimin publik për projektin "Behtel dhe Enka" njoftuan se akoma nuk është hapur procedurë hetimore. Thanë se po bashkëpunojnë edhe me institucione të tjera, materiali është voluminoz dhe kërkon më shumë kohë për t’u përpunuar.
Sa i përket rastit "Soravia", nga PNKOK theksojnë se është në fazë parahetimore dhe pas hapjes së kësaj lënde, Prokuroria u është drejtuar shumë institucioneve për mbledhjen e të dhënave të nevojshme, për t’u vërtetuar nëse ka lidhshmëri me institucione të tjera dhe vepra penale.
Ndërkaq, sa i përket rastit për djegien e Spitalit modular të Tetovës, theksuan se është siguruar i gjithë dokumentacioni dhe se rasti është në fazën përfundimtare të sjelljes së vendimit.
Sa i përket rasteve të PSP-së dhe posaçërisht vjetërsimin që sollën ndryshimet e Kodit Penal, nga PNKOK theksojnë se akoma nuk kanë ndonjë statistikë se sa është numri i rasteve të vjetërsuara. (Florije Kamberi, TVM2)
