Djokovic-Murray, finalja e Miami Open
Ashtu siç edhe parashikohej finalja e Mastersit të Miamit do të diskutohet mes Novak Djokovic dhe Andy Murray...

John Isner dhe Thomas Berdych rezultuan dy rivalë të lehtë për numrin 1 dhe numrin 4 të Botës. Djokovic do të ketë kështu mundësi të mbrojë titullin në Miami Open dhe të fitojë trofeun e tij të 5-të në turneun që zhvillohet në Florida, për më tepër që ndaj Murray ai gjithmonë ka dhuruar paraqitje spektakolare, madje ka fituar 7 përballjet e fundit direkte ndaj skocezit.
Edhe pse u mbështet fuqishëm nga publiku vendas amerikani John Isner nuk mundi të bënte asgjë përballë Xhokovicit që arriti të triumfonte 2-0 me sete në 1 orë e 32 minuta.
Tashmë Xhokovic duhet të masë forcat me Murray. Në Miami sonte do të vihet në skenë finalja e tretë mes tyre.
Në 2009-n ishte tenisti britanik ai që triumfoi ndërsa Djokovic i ktheu reston Murray në 2012-n. Por për tu kthyer te sfidat gjysmëfinale 27-vjeçari skocez edhe pse qëndroi në fushë 12 minuta më shumë se Djokovic nuk hasi në vështirësi të mëdha për të mposhtur çekun Thomas Berdych.
2-0 me sete 6-4, 6-4 ishte rezultati i sfidës në favor të Murray-it që e theu 4-herë në shërbim çekun gjatë kësaj sfide.