Botë

Rripi i Gazës, vazhdojnë negociatat për armëpushimin

02.03.2024 18:20

Mbetet optimizmi në bisedimet për arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës...

Mbetet optimizmi në bisedimet për arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës, të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit.
 
Dhe pas një sulmi të përgjakshëm ndaj një autokolone humanitare në të cilën humbën jetën më shumë se 100 civilë palestinezë, ende po kërkohet një mënyrë për të gjetur një marrëveshje për të ndaluar luftimet midis Izraelit dhe Hamasit deri në festën myslimane të Ramazanit. Për Uashingtonin, sulmi i përgjakshëm në veri të Gazës sjell urgjencë shtesë në bisedimet për të ndalur luftën dhe për të liruar pengjet izraelitë. 
 
“Unë ende shpresoj për një armëpushim. Por, nuk ka mbaruar derisa të përfundojë Duhet të ketë një marrëveshje për kohën dhe ata janë ende larg saj”, tha presidenti i SHBA-ve, Xho Bajden.
 
Situata në Rripin e Gazës është ende në prag të katastrofës. Imazhet kaotike të banorëve të Gazës që përballen me mungesën e ushqimit bazë, ujit dhe ilaçeve vazhdojnë të tmerrojnë botën.
 
“Përderisa po ju flas, në këtë spital po trajtohen mbi 200 persona të lënduar. Këto ngjarje nuk duhet të lejohen të vazhdojnë. Ne duhet të kemi një kalim të sigurt përmes Gazës për të arritur njerëzit që kanë nevojë për ndihmë humanitare. Shpresojmë që në ditët në vijim autokolona më të mëdha me ushqime të hyjnë në Gazën Veriore”, u shpreh shefi i zyrës për çështje humanitare Georgis Petropoulos. 
 
Uashingtoni po dërgon paketa ndihme humanitare të hedhura nga ajri. Egjipti, Franca, Jordania, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përdorur tashmë rrugë ajrore për të ofruar ndihma, por pjesa më e madhe e ndihmës humanitare për Gazën vazhdon të vijë përmes kalimit kufitar Rafah me Egjiptin.
 
SEDAT SELIMI