Botë

OKB: Palestinezët u qëlluan me armë zjarri gjatë pritjes për ndihma

03.03.2024 12:58

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e palestinezëve...

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e palestinezëve, që janë trajtuar për lëndimet e marra pas sulmit të së enjtes gjatë pritjes për ndihma në Gaza, kanë pasur plagë nga armët e zjarrit. Konstatimi u bë pasi vëzhgues të OKB-së e vizituan spitalin “Al-Shifa” në qytetin e Gazës dhe i kanë parë rreth 200 persona që ende po marrin trajtim mjekësor.

Giorgios Petropoulos, kreu i zyrës në Gaza të Koordinatorit të OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA) ka thënë për BBC-në se ai dhe një ekip i dërguar në spitalin “Al-Shifa” gjetën numër të madh njerëzish me plagë plumbash. Ai ka thënë se të gjithë, përveç një numri nga 70 deri në 80 pacientë në dhomën e urgjencës ishin lënduar gjatë incidentit të autokolonës. Përveç atyre me plagë plumbash, ai ka thënë se mjekët kishin trajtuar shumë që ishin rrëzuar ose shkelur, por ai nuk ishte në gjendje të thoshte me siguri se cili grup ishte më i madh.

Petropoulos ka shtuar se ata me plagë plumbash ishin prekur në pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit. Një pacient i ka thënë atij se ishte qëlluar në gjoks dhe se kishte shkuar në “Al-Shifa” për të marrë trajtim. “Ai tha se ata (trupat izraelite) zakonisht gjuajnë në ajër. Këtë herë, ata qëlluan në pjesën më të dendur të turmës”, ka treguar Petropoulos. Por, Petropoulos ka shpjeguar se personeli i OKB-së nuk kishte qenë i pranishëm gjatë incidentit duke e bërë shumë të vështirë të dihej saktësisht se çfarë ka ndodhur.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Daniel Hagari, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), ka thënë se “dhjetëra qytetarë të Gazës janë plagosur si rezultat i shtytjes dhe shkeljes”

Nënkoloneli i IDF-së, Peter Lerner, ka thënë gjithashtu për “Channel 4 News” të Mbretërisë së Bashkuar se një “turmë sulmoi kolonën” dhe se trupat izraelite“me kujdes u përpoqën të shpërndanin turmën me disa të shtëna në ajër”.

Mark Regev, këshilltar special i kryeministrit izraelit, kishte thënë më herët për CNN-in se Izraeli nuk ishte përfshirë drejtpërdrejt në asnjë mënyrë dhe se të shtënat kishin ardhur nga “grupet e armatosura palestineze”, megjithëse nuk ka dhënë prova.

Liderët në të gjithë botën kanë kërkuar hetim të plotë të ngjarjes, raporton BBC.

Bisedimet pritet të vazhdojnë

Rasti ka ndodhur pasi qindra njerëz ishin grumbulluar rreth kamionëve me ndihma për të marrë ushqim, në orët e mëngjesit të së enjtes. Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, ka thënë se të paktën 112 persona u vranë në incident dhe se 760 të tjerë u lënduan. Derisa sulmet izraelite në Gaza kanë vazhduar edhe të shtunën duke lënë 17 të vdekur, Egjipti ka bërë të ditur se bisedimet e armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit do të rinisin të dielën në Kajro.

E zyrtarët amerikanë, kanë thënë të premten se nuk ka indikacione se diskutimet janë ndikuar nga ngjarja e fundit në Gaza. Sipas tyre, presidenti Joe Biden, ende shpreson se armëpushimi do të mund të arrihet para Ramazanit, ndonëse kanë mbetur vetëm edhe një javë deri atëherë.

“Ne po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për kthimin e pengjeve dhe një armëpushim të menjëhershëm në Gaza për të paktën gjashtë javët e ardhshme, dhe për të mundësuar rritjen e ndihmës për Rripin e Gazës”, ka deklaruar presidenti Biden, gjatë një takimi me kryeministren e Italisë, Georgia Meloni në Washington.

Të përfshirët në bisedime kanë thënë se një marrëveshje ka të ngjarë të zbatohet në faza të shumta dhe pasi të arrihet marrëveshja fillestare, ajo mund të çojë në një armëpushim që zgjat deri në gjashtë javë me një grup pengjesh izraelitë të liruar, në këmbim të një numri më të vogël të burgosurish palestinezë sesa kishte kërkuar fillimisht Hamasi.

Numri total i të vdekurve si pasojë e luftës mes Hamasit dhe Izraelit ka shkuar në mbi 30 mijë, që kur kanë nisur luftimet më 7 tetor.