Botë

Kairo, vazhdojnë negociatat për armëpushimin në Gaza

03.03.2024 15:56

Dirtë e gjelbërt për t'i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme...

Sytë e opinionit botëror janë të përqëndruar në Kajro, ku po vazhdojnë bisedimet për ndërprerjen e luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit. Marveshja parashikon një pauzë gjashtë-javore në konflikt për shkëmbimin e të burgosurve palestinezë dhe pengjeve izraelitë.

Para fillimit të bisedimeve, grupi militant shprehu optimizëm se një armëpushim mund të fillojë në dy ditët e ardhshme nëse Tel Avivi pranon kushtet e tyre specifike. Izraeli, nga ana tjetër, kërkoi një listë të pengjeve të mbijetuar që u rrëmbyen nga Hamasi më 7 tetor. Përgjigje për fatin e pengjeve kërkuan edhe mijëra izraelitë që mbërritën në Jerusalem pas një marshimi katërditor.

"Unë ju bëj thirrje, president Biden, të vazhdoni të bëni presion nga të gjitha palët dhe të mos pendoheni derisa të nënshkruhet një marrëveshje për të sjellë të dashurit tanë në shtëpi", u shpreh nipi i një pengu Daniel Lifshitz.

“Ëndrra ime është të shoh Elijan të kthehet në shtëpi së shpejti, me të gjithë të rrëmbyerit. Dhe që ata të shohin se vuajtjet që po kalojnë atje nuk ishte e kotë. Falë tyre, Izraeli është i bashkuar dhe do të mbetet i tillë përgjithmonë”, theksoi nëna e një pengu Sigalit Koen.

“Kemi humbur katër anëtarë të familjes, familjen Sharabi, familjen time, familjen tuaj. Ne nuk kemi ndërmend – dëgjoni me kujdes, udhëheqës të Izraelit – nuk kemi ndërmend të sjellim një arkivol të pestë këtu”, u shpreh vëllai i pengjeve të vdekur Sharon Sharabi.

Në vazhdën e bisedimeve të armëpushimit, luftimet e ashpra në Rripin e Gazës vazhdojnë. Ka të plagosur dhe të vdekur në sulmet izraelite në Rafah. Ka të vdekur edhe nga radhët e izraelitëve. Frika për një përshkallëzim të situatës në Lindjen e Mesme nxitet më tej nga sulmet e grupit militant jemenas Huti ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Sulmi i fundit ishte fatal për një anije britanike e cila u mbyt, duke lënë pas një mbetje të rrezikshme që përbën rrezik për jetën detare.

SEDAT SELIMI