Botë

Shqipëri, përurohet baza e NATO-s në Kuçovë

04.03.2024 14:44

Në Kuçovë u hap baza ajrore që do të shërbejë si qendër taktike për NATO-n, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit...

Në Kuçovë u hap baza ajrore që do të shërbejë si qendër taktike për NATO-n, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, diplomatë dhe menaxherja e përgjithshme e Agjencisë së NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet.
 
“Punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar. Kuçova, tashmë një stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.”, tha ajo.
 
Hapjen e bazës së re të aleancës, kryeministri Rama e cilësoi si një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, që nuk mbetet i parrezikuar nga kërcënimet ruse.
 
“Sot jetojmë në një epokë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëria gjendet në anën tjetër. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, i cili e dimë mirë se është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse.”, - theksoi kryeministri, Edi Rama.
 
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneral major Arben Kingji ishin hapësit e kësaj ceremonie të rëndësishme.
 
“Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
 
“Kjo bazë do të luajë një rol për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor i aleancës.”, - tha shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Arben Kingji. 
 
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i fundit në rendin e fjalimeve, u shpreh se rrjetëzimi i bazës ajrore të Kuçovës, shënon një kapitull të ri në historinë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit dhe të gjithë rajonit tonë.
 
“Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos në kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar.”, - u shpreh presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. 
 
Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet e ’90-ta dhe tashmë ajo do të rikthehet sërish në punë falë një investimi 50 milionë eurosh.
 
LULJETA NDOKA