Kompletohet KShZ-ja, Abdush Demiri dha betimin në Kuvend

04.03.2024 15:16

Abdush Demiri, kandidati i shtatë i KShZ-së....

Abdush Demiri, kandidati i shtatë i KShZ-së dha betimin solemn në Kuvend, duke kompletuar kështu KShZ-në. Demiri, i propozuar nga Lëvizja Besa opozitare, u zotua se së bashku me pjesën e mbetur të KShZ-së se do të angazhohet për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

“Sot dhash deklaratën solemne dhe pas do të shkojmë bashkë me kryetarin e KShZ-së në zyrat e KShZ-së. Në kuadër të ingerencave dhe autorizimeve të cilat do t’i kem, do të bëj punën time me përkushtim që të kemi një proces zgjedhor fer dhe demokratik, normal në bashkëpunim edhe me kolegët tjerë të KShZ-së.”, - deklaroi kandidati i KShZ-së, Abdush Demiri.

Tanimë një vit KShZ-ja po funksionon me gjashtë anëtarë, pas betejës së zhvilluar me ASh-në për të zënë këtë vend vakant.

Organi më i lartë zgjedhor tanimë ka shtatë anëtarë, katër anëtarë të pushtetit dhe tre të opozitës. Abdush Demiri ishte kandidat i vetëm në garë për vendin e shtatë pas tërheqjes në moment të fundit të Zulfi Adilit, i propozuar nga partia e Arjanit Hoxhës.

Votimi me dokumente të vjetra, të vlefshme, Dashtevski: Kuvendi duhet të prononcohet

Kreu i KShZ-së Aleksandar Dashtevski tha se komisionin e pret shumë punë para zgjedhjeve. Ai pret nga Kuvendi të prononcohet për kërkesën e tyre që qytetarëve në mungesë të dokumenteve të reja, t’iu lejohet të shfrytëzojnë dokumentet e vjetra të vlefshme gjatë votimit.

“Ne dhamë një propozim në Kuvend që në Kodin Zgjedhor të bëhet ndryshim në të cilën do të ketë dispozitë kalimtare vetëm për këto zgjedhje që të vënë dokumentet e vjetra të vlefshme gjatë zgjedhjeve, që të mund të gjithë qytetarët të realizojnë të drejtën e votimit. A do të miratohet kjo, varet nga Kuvendi.”, - theksoi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Ndërkohë personat që mbushin 18 vjet dhe nuk figurojnë në listën zgjedhore, do të mund që të paraqiten për t’u regjistruar. Verifikimi i të dhënave të qytetarëve nëse figurojnë ose jo në listën e votuesve vijon deri më 18 mars. (Meral Ismaili, TVM2)