Maqedoni

Në prag të muajit të Ramazanit, BFI-ja ndan pako për familjet në nevojë

04.03.2024 17:00

Vetëm disa ditë para fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së...

Vetëm disa ditë para fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së ka filluar aksionin e ndarjes së dhuratave për familjet në nevojë, donacion ky i cili ka arritur nga Republika e Turqisë, respektivisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Turqisë, që në mënyrë tradicionale gjatë këtyre 10 viteve të fundit shpërndanë 4 deri në 5 mijë pako çdo vit me produkte ushqimore. Kreu i BFI-së, Shaqir Fetai, u shpreh i kënaqur që u finalizua ky angazhim dhe se me këto pako do të mundësohet që sadopak të zbutet gjendja e vështirë që kanë këto familje.
 
“Janë dhurata në ushqime për të zbutur sadopak situatën e njerëzve të cilët kanë nevojë. Sot e bëjmë shpërndarjen nga këtu nga Myftinia e Shkupit. Ndarja do të bëhet nëpër të gjitha myftinjtë e RMV-së prej Kumanovës e deri në Resnjë, por këtë do ta menaxhojë organizata humanitare “Hilal” e Bashkësisë Fetare Islame, në krye me kryetarin e saj, Fadil efendi Ramadani.”, - deklaroi kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Shaqir ef. Fetai. 
 
Edhe përfaqësuesi i Drejtorisë së përgjithshme të Vakëfeve të Republikës së Turqisë, Juksel Onder, u shpreh i kënaqur që ky aktivitet u përmbyll me sukses dhe se do të vazhdojë ky nivel i bashkëpunimit.
 
“Vakëfet janë nën përkujdesjen e drejtorisë. Ne jemi tejet të kënaqur me programet e suksesshme të realizuara deri më tani, dhe për këtë ndihem krenar. Këto programe dhe ndarja e pakove me gjëra ushqimore u janë besuar njerëzve të përkushtuar dhe shpresojmë që ky nivel i bashkëpunimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.”, - theksoi përfaqësuesi Drejtorisë së përgjithshme të Vakëfeve të Republikës së Turqisë, Juksel Onder. 
 
Kryetari i Organizatës Humanitare “Hilal”, Fadil efendi Ramadani, theksoi se Republika e Turqisë për çdo vit jep donacione të tilla, nga ku furnizohen familjet në nevojë përmes 13 myftinive në RMV.
 
“Falënderojmë drejtorin e vakëfit të Republikës së Turqisë që vite me radhë na sjellin nga 4 mijë deri më 5 mijë pako në vit. Edhe pse vitin e kaluar ishte tërmet i fuqishëm në Turqi, por këto ishin në gatishmërinë që të vijnë në ndihmën tonë.”, - u shpreh kryetari i OH “Hilal”, Fadil efendi Ramadani. 
 
Disa nga pakot u ndanë familjeve të cilat ishin kontaktuar nga BFI, ndërsa pjesa tjetër është destinuar në drejtim të magazinës së Organizatës “Hilal”, prej ku 13 myftinitë vijnë i marrin pjesën e tyre që u takon në bazë të listës së familjeve të cilat i kanë të evidentuara.  
 
FITIM KRYEZIU