Maqedoni
Tetova shënon Ditën e komunës, qytetarët presin zgjidhjen e problemeve lokale
04.03.2024 17:26
Tre marsi është dita e komunës së Tetovës, ku komuna ndan mirënjohje për të gjithë ato persona që kanë dhënë një kontribut të çmuar për qytetin e Tetovës...

Tre marsi është dita e komunës së Tetovës, ku komuna ndan mirënjohje për të gjithë ato persona që kanë dhënë një kontribut të çmuar për qytetin e Tetovës. Ndërsa qytetarët e anketuar nga TVM2, janë shprehur të ndarë sa i përket punëve që kanë ndodhur brenda kësaj periudhe kohore. Ata si problem kryesor e theksojnë menaxhimin me mbeturinat, që sipas tyre çdo ditë e më tepër grumbullohen në çdo lagje të Tetovës dhe nuk ka një zgjidhje. Kurse edhe parkingjet janë një problem kryesor, ndërsa sa i përket infrastrukturës rrugore, sipas qytetarëve është duke u punuar.
“Pastërtia e qytetit nuk është maksimale, por minimale, ka disa ndryshime. Mbeturinat kohën e fundit nuk i marrin, shumë po i lënë të grumbullohen, ku është problemi nuk e di. Rrogat nuk po ua japin punëtorëve, katër muaj brenda. Për ujë jemi të kënaqur, duhet t’i dallojnë gjërat, ajo çfarë është mirë, mirë, kjo që thash rrogat për punëtorët është turp e për ujin jam i kënaqur, e pastrojnë. Ndërsa pushteti më parë nuk i ka nxjerr as klor ujit, nga një muaj pa ujë kemi qenë. Për ujin jemi të kënaqur si qytetarë. Infrastruktura rrugore këtu në qendër është mirë.”, - u shpreh një qytetar.
“Nuk jemi shumë të kënaqur, ujë kemi, por ndonjë herë edhe nuk kemi. Parking nuk kemi çfarë të bëjmë!”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“T’i bëni të fala kryetarit të komunës së Tetovës, që të dalë edhe nga lagjja tek varrezat e ortodoksëve, që të gjitha mbeturinat qëndrojnë aty e nuk vini për t’i marrë.”, - tha një qytetar.
“Punohet, rrugët ndërtohen, mirë është. Udhëheqësia tani që është mirë, nuk e dimë tutje, ndërsa ato tjerët asgjë s’kanë punuar.”, - theksoi një qytetar.
“Problemi kemi, por nuk duhet të akuzojmë vetëm komunën, por edh ne si qytetarë duhet ta ruajmë pastërtinë. Deri diku jemi të kënaqur, mungojnë vendparkingjet. Më shumë ne kemi problem se sa komuna, pasi hedhim mbeturina vend e pa vend.”, - theksoi një tjetër qytetar.
Përndryshe me menaxhimin e mbeturinave tani më e ka kompania austriake-sllovene, por edhe kjo e fundit nga një janari e këndej nuk arrin të menaxhojë si duhet mbledhjen e mbeturinave në qytet. Ndërsa nga komuna e Tetovës kërkuan pak durim, pasi kalimi nga një ndërmarrje në tjetrën ka edhe vështirësitë e saj, kurse premtuan që shumë shpejtë do t’i pastrojnë rrogat e mbetura të punëtorëve të NKP-Tetovë.
VISAR SADIKI
