Maqedoni

VLEN: Xhaferi nuk nënshkroi marrëveshje me universitetet

05.03.2024 13:17

Opozita shqiptare VLEN thotë se ish-kryetari i Kuvendit dhe tani kryeministër teknik, Talat Xhaferi....

Opozita shqiptare VLEN thotë se ish-kryetari i Kuvendit dhe tani kryeministër teknik, Talat Xhaferi, derisa ishte në pozitën e kryetarit të Kuvendit nuk nënshkroi marrëveshjen kolektive me të gjitha Universitetet, por vetëm me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, me çka i la jashtë marrëveshjes kolektive dhe jashtë rritjes së pagave për 22 për qind. 
 
“Tani Talat Xhaferi në cilësinë e kryeministrit teknik, thotë se nuk ka nënshkruar marrëveshje kolektive me universitetet e tjera, për shkak të dokumentacionit të pakompletuar ose me fjalë të tjera, Xhaferi thotë se ata nuk kanë ditur ta shkruajnë një kërkesë, që është ofendim shtesë ndaj elitës intelektuale. Përse nuk nënshkroi Talat Xhaferi marrëveshjen kolektive para se të shpallen zgjedhjet siç e bëri atë me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup? Kundër kujt protestuan deputetët e BDI-së, vallë kundër kryeministrit teknik që në kohën kur ishte kryetar i Kuvendit refuzoi të nënshkruajë marrëveshje kolektive me të gjitha Universitetet Publike në vend?”, - u shpreh Blerand Ramadani nga VLEN.
 
Nga VLEN theksojnë se pas 8 majit, nëse VLEN do të jenë pjesë e përbërjes Qeveritare, do ta rishqyrtojnë këtë vendim të padrejtë dhe elita intelektuale do ta zë vendin e merituar në shoqëri.  
 
Nga ana tjetër, kryeministri Xhaferi ditë më parë theksoi se ai nuk dëshiron të distancohet si kryeministër aktual dhe kryetar i mëparshëm i Kuvendit, por procedura sipas tij nuk duhet të jetë nën presion, sepse ka praktikë të përshtatshme për zbatimin me shkurtim të mundshëm të periudhës së negociatave, ndërsa me qëllim për të arritur variantin përfundimtar të marrëveshjes, sepse kontrata kolektive sipas tij është mbi ligjin dhe mund të rregullojë gjëra të tjera. 
 
FITIM KRYEZIU