Dollari i afrohet euros, ekonomia e vendit nuk do pesoje ndryshime

05.04.2015 16:35

Dollari i afrohet euros. Valuta amerikane në Maqedoni po këmbehet për 57 denarë për një dollar...

Ekonomia e vendit nuk do të pësojë ndryshime pasiqë maqedonia ka kurs fiks të denarit me euron.

Kjo është një politikë monetare që vendi po zbaton tanimë disa vite. Analistët ekonomik thonë se ekonomia e vendit nuk do të pësojë ndryshime as në tregëtinë me vendet e jashtme, pasiqë numri më I madh I produkteve të vendit plasohen në tregun e eurozonës.

Përfitim do të kenë vetëm kompanitë të cilët kanë të nëshkruar marëveshje bashkëpunimi me vendet ku valutë kryesore është dollari. Gjithashtu përfitime do të kenë shtetasit e maqedonisë të cilët punojnë në anijet amerikane për më shumë muaj. Në këmbimoret e vendit gjendja ka arritur mesataren. Në banka është vërejtur rritje minimale e këmbimit të dollarit. Shtrohen pyetjet se nga vjen fuqizimi i dollarit kundrejt euros?

“Në SHBA përforcimi i ekonomisë është evident për dallim nga ekonomia e vendeve në eurozonë ku ekziston rreziku i deflacionit. E gjithë kjo situatë e bën ekonominë amerikane, më saktë dollarin amerikan që të përforcohet në krahasim me euron”, bëjnë të ditur analistët ekonomik të vendit.

Fuqia e dollarit del edhe nga një faktor tjetër, tregu i resurseve të naftës. Kur çmimi i naftës bie atëherë kjo ka të bëjë me përforcimin e dollarit, pasiqë dollari është valuta kryesore për tregëtimin me naftë. Dollari po shënon rritje drastike muajt e fundit. Vetëm gjatë muajit mars, dollari në krahasim me denarin është shtrenjtuar për 4 denarë. Në krahasim me dhjetorin e vitit të shkuar dollari është për dhjetë denar më i shtrenjtë. Atëherë 1 dollar shitej vetëm për 49 denar. Parashikimet janë se valuta amerikane do të rritet edhe më tej. (Meral Ismaili, TVM2)