Gazë, nuk ka përparim në negociata për paqe
Pas tri ditësh negociata me Hamasin...

Pas tri ditësh negociata me Hamasin për një armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve izraelite dështuan që të arrinin përparim, thanë zyrtarët egjiptianë.
Nga ana tjetër, Uashingtoni thotë se Izraeli ka qenë bashkëpunëtorë dhe i mbetet Hamasit të sjellë vendim nëse dëshiron të jetë pjesë e marrëveshjes.
“ShBA-ja dhe Izraeli biseduan për përpjekjet e arritjes së marrëveshjes për ndërprerje gjashtëmujore të luftimeve. Siç tha Blinkeni, kemi mundësi, por i mbetet Hamasit të vendosë nëse është i gatshëm të pajtohet me atë.”, - deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Metju Miler.
Izraeli insiston që Hamasi të dërgojë listën e pengjeve për të konfirmuar se ata janë të gjallë dhe mund ta realizojnë marrëveshjen. Por, Hamasi nga ana tjetër nuk pajtohet me ndërprerje të përkohshme të luftimeve.
“Siguria dhe mbrojtja e popullit tonë nuk mund të arrihen përveç me marrëveshje të përhershme të sulmeve. Mendoj se është farsë politike që ShBA-ja ta mbështesë Izraelin që të ndërpresë vrasjet për disa javë e më pas të vazhdojë. Kjo konfirmon se nuk synojnë arritjen e stabilitetit rajonal.”, - theksoi përfaqësuesi i Hamasit, Osama Hamdan.
Katari vazhdon të ngritë shqetësimin për eskalim të konfliktit.
“Situata është pa presedan dhe po bëhet shumë shqetësuese për të gjithë ne.”, - u shpreh kryeministri i Katarit, Mohamed Bin Abdulrahman Al Tani.
Përpjekjet për armëpushim po bëhen pak ditë para nisjes së Muajit të Ramazanit, që ishte një afat për arritjen e një marrëveshjeje. Kryeministri izraelit premton se do të mundësojë lirinë fetare të myslimanëve gjatë muajit të shenjtë.
“Politika e Izraelit gjithmonë ka qenë dhe do të jetë mundësimi i lirive fetare për të gjitha religjionet, kështu do të veprojmë edhe gjatë Ramazanit. Do të bëjmë gjithçka për t’i ruajtur liritë e lutjeve fetare, por edhe në mënyrë adekuate ta mbajmë sigurinë.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Pothuajse pesë muaj luftime e kanë lënë në gërmadha Gazën dhe kanë krijuar një katastrofë humanitare, teksa banorët e enklavës, veçmas në veri, po përballen me mungesë të theksuar të furnizimeve ushqimore.
Grupet e ndihmës humanitare kanë thënë se është bërë pothuajse e pamundur dërgimi i furnizimeve në pjesën më të madhe të Gazës, për shkak të vështirësive në koordinimin me ushtrinë izraelite, armiqësive që po vazhdojnë dhe për shkak të thyerjes së rendit publik. (Fitore Demolli, TVM)
