Maqedoni
Propozim-akuza për Merkon, Gjykata Penale në Shkup deklarohet jokompetente
06.03.2024 14:09
Gjykata Penale në Shkup u deklarua jokompetente për të vendosur lidhur me akuzën ndaj kryetarit të Komunës së Strugës...

Gjykata Penale në Shkup u deklarua jokompetente për të vendosur lidhur me akuzën ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për keqpërdorim të detyrës zyrtare sipas nenit 353, paragrafi 4 nga Kodi Penal. Akuza ka të bëjë me rastin e blerjes së veturës "Audi" në vlerë prej 67 mijë euro. Nga kjo gjykatë njoftojnë se kanë marrë vendim me të cilin janë shpallur jokompetent për të vepruar për këtë vepër penale. Duke pasur parasysh vendin se ku është kryer vepra, lënda do t’i dërgohet Gjykatës Themelore të Strugës për proces të mëtutjeshëm gjyqësor.
“Sipas Nenit 32 të Ligjit për Gjykatat, Departamenti i Specializuar është përgjegjës për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës zyrtare nga neni 353 paragrafi 5, Marrja e ryshfetit me vlerë të konsiderueshme nga neni 357 dhe Ndërmjetësimi i Paligjshëm nga neni 359 të Kodit Penal, të kryera nga një funksionar i zgjedhur ose i emëruar, person zyrtar ose përgjegjës tek personi juridik. Duke marrë parasysh nenin e përmendur të Ligjit për Gjykatat, ndryshimet e fundit në Kodin Penal të publikuara në Gazetën Zyrtare nr. 188 të datës 07.09.2023, si dhe kualifikimin juridik nga propozim-akuza, d.m.th. paragrafi 4, gjykata konstatoi se Departamenti i Specializuar për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin nuk është kompetent për gjykimin e krimeve nga neni 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 1, siç e ka paraqitur Prokurori Publik propozim aktakuzën, por dispozitat e cituara të Ligjit për Gjykatat i referohen vetëm veprës penale të paraparë në paragrafin 5 të këtij neni.”, sqarojnë nga Gjykata.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa para Gjykatës së Apelit në Shkup. Ramiz Merko është njëri nga personat që Departamenti amerikan i shtetit vitin e kaluar e futi në listën e personave të padëshiruar, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm.
FLORIJE KAMBERI
