Maqedoni

Protesta e sindikatave të 5 universiteteve, Xhaferi: S’ka marrëveshje kolektive në zgjedhje

06.03.2024 16:16

Kryeministri Talat Xhaferi duke folur për protestat në pesë universitete shtetërore...

Kryeministri Talat Xhaferi duke folur për protestat në pesë universitete shtetërore, të cilët kërkojnë rritje të rrogave tha se për momentin nuk mund të nënshkruhet marrëveshje kolektive sepse janë shpallur zgjedhjet. Xhaferi shtoi se të gjithë kanë të drejtë të protestës dhe të grevës, por për momentin ai beson se kërkesa për një të drejtë të tillë, duke ditur se ka pengesa ligjore, nuk mund të interpretohet ndryshe përveç se në  fushatë ditore politike.
 
“Marrëveshjet kolektive nuk nënshkruhen në zgjedhjet e planifikuara dhe këto protesta kanë prapavijë politike. Zgjidhja është të presim përfundimin e zgjedhjeve. Këtë procedurë e udhëheq Kuvendi dhe nuk është parti politike dhe as person. Kuvendi është institucion shtetëror dhe autoriteti më i lartë. Në çdo format, pas zgjedhjeve vazhdon procedura e nisur në lidhje me kërkesat. Kushdo që të jetë kryetar i Kuvendit dhe kushdo që të jetë përbërja e shumicës së ardhshme do të duhet ta autorizojë kryetarin e Kuvendit, sepse ky aktual pas zgjedhjeve fizikisht nuk ka kohë ta bëjë këtë.”, - deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi: 100 mijë qytetarët me dokumente të skaduara, brenda marsit mund të marrin dokumente
 
Ndërsa sa i përket informacionit që qarkullon në opinion se rreth 100 mijë qytetarë nuk i kanë rinovuar dokumentet personale, pra janë me dokumente me emrin e vjetër të shtetit, dhe si të tilla pamundësojnë votimin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, Xhaferi thotë se ka kohë edhe 50 ditë që qytetarët të pajisen me dokumente të reja, por fillimisht ata duhet të aplikojnë.  E në rast se  nuk furnizohen të gjithë, atëherë do të shqyrtohet se çfarë vendimi do të marrë Qeveria.  Po ashtu, MPB-ja të bëjë punën e saj dhe të mos justifikohet për atë që nuk është bërë.
 
“Sipas të dhënave që kam marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga data 1 deri më 29 shkurt janë paraqitur 123,983 kërkesa për pasaporta dhe janë lëshuar 95,267. Janë dorëzuar 82,235 kërkesa për letërnjoftime dhe janë lëshuar 71,410. Duke pasur parasysh se deri në zgjedhje kanë mbetur edhe 50 ditë, me këtë dinamikë, numri prej 100,000 qytetarëve që nuk kanë dokument mund të pajisen me të gjitha dokumentet deri në muajin mars. Nëse vijmë në një situatë ku qytetarë të caktuar nuk kanë dokument, atëherë Qeveria është e obliguar të vendosë se çfarë dhe si të veprojë. Megjithatë, qytetarët duhet të nisin një procedurë për marrjen e dokumenteve.”, - theksoi kryeministri, Talat Xhaferi. 
 
Pas këtij prononcimi të kryeministrit Xhaferi, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Nëse Xhaferi dhe qeveritarët mendojnë se kjo punë mbaron lehtë dhe shpejt, le të vijnë të ndihmojnë personalisht gjatë procedurës, u shpreh Toshkovski.
 
“Nuk është keq që kryeministri Talat Xhaferi, nëse është aq ambicioz se mund të përfundojë tërë kjo, së bashku me ministrin e Jashtëm të cilin e pashë shumë herë se si është i shqetësuar për tërë këtë problem, të vijnë në MPB do t’u mundësojë kabina speciale që të ndihmojnë në procesin e fotografimit dhe së bashku me zyrtarët tjerë policorë do t’u japim KAS kartelë, të cilat janë me fshehtësi shtetërore, të ndihmojnë të fotografojnë, por ku do t’i gjejnë të gjitha kushtet për ta proceduar këtë proces, me të vërtetë nuk e kam të qartë.”, - u shpreh Pançe Toshkovski nga MPB.
 
Me qëllim të përshpejtimit të procesit për lëshimin e dokumenteve të reja personale, MPB-ja ka hap një pikë të re në kuadër të Qendrës së Trajnimeve në Idrizovë. Pika, siç informoi Toshkovski, ka katër stacione bazë që janë transferuar nga brendësia e vendit, do të punojë në një ndërrim dhe do të mund të shërbejë 250 deri në 300 persona.
 
Edhe nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor kanë propozon futjen e një dispozite kalimtare në Kodin Zgjedhor që do t'u mundësojë qytetarëve të që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë me pasaporta me emrin e vjetër kushtetues. 
 
SANIJE DURAKU