“SKANDALI ME PËRGJIMET”

Zyberi: A ka VMRO legjitimitetin e maqedonasve?!

05.04.2015 16:48

Subjektet shqiptare parlamentare duhet të kyçen drejpërdrejt në zbardhjen e skandalit me përgjimet dhe tejkalimin e krizës politike...

Pavarësisht se në këtë skandal as pala që ka realizuar përgjimin edhe as pala që disponon materialin e përgjuar nuk janë subjekte shqiptare, përmbajtja e tyre dëshmon shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti. Përmbajtjet kriminale për keqpërdorime financiare, dëshmojnë për keqpërdorime buxhetore, arkë që e mbushin edhe shqiptarët.

Analisti politik, Naser Zyberi, thotë se BDI duhet të përcaktohet nëse do të mbetet deri në fund në pushtet, pa marrë parasysh se me cilin e ndan pushtetin, apo duhet t’u kthehet vlerave dhe parimeve demokratike.

Ai përshëndet vendimin e BDI-së për zbardhjen e rastit me ndihmën e ndërkombëtarëve, por gjykon se BDI duhet të jetë më aktiv dhe më këmbngulës në zgjidhjen e krizës politike në vend.

“BDI, deri në fund ka qëndruar në pozicionin se ne jemi në qeveri dhe do ta respektojmë vullnetin politik të maqedonasve dhe do të jemi në qeveri me partinë, e cila ka legjitimitetin e popullit maqedonas. Tash kur po zberthehet ky fenomen dhe kur po shihet se zgjedhjet janë kryesisht të manipuluara të shantazhuara, të komprometuara, aspak të ndershme, korrekte dhe demokratike, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i partnerit të BDI-së në qeverisje” – tha analisti, Naser Zyberi.

I papranueshëm është qëndrimi i PDSh-së në opozitë, thotë Zyberi, e cila sipas tij, në vend që të kërkojë zbardhjen e procesit dhe ruajtjen e vlerave demokratike, po mban anën e VMRO DPMNE-së.

“Për çudi partia politike që është në opozitë është tërësisht antiprocesit. Në vend që të solidarizohet me idenë për zbardhje të procesit, për ruajtje të vlerave të demokracisë, të dialogut, pengimit të shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut, antikorrupcion, ajo bëhet palë me partinë në pushtet, VMRO DPMNE, duke e mbështetur atë, që dmth drejtpërdrejtë është kundër këtyre vlerave demokratike” tha analisti, Naser Zyberi.

Sipas Zyberit, subjektet shqiptare duhet t’i japin shtysë këtij procesi, i cili duhet të zhvillohet në bashkëpunim me ndërkombëtarët, e që do të ketë për finale shkarkimin e qeverisë, formimin e një qeverie tranzicioni, zgjedhje të parakohëshme dhe konsolidimin dhe formimin e organeve legjitime, qoftë nga pala maqedonase, qoftë nga pala shqiptare. (Shpëtim Nuredini, TVM2)