Maqedoni

Grevë në NP “Pyjet e Maqedonisë”, të punësuarit kërkojnë pagat dhe shtesat

07.03.2024 15:14

Në grevë të përgjithshme kanë hyrë të punësuarit e Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë”...

Në grevë të përgjithshme kanë hyrë të punësuarit e Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë”. Të revoltuar për shkak të pagesës së parregullt të pagave të tyre, ata sot filluan grevën e përgjithshme në këtë ndërmarrje.
 
I kërkojnë udhëheqësisë së NP “Pyjet e Maqedonisë” urgjentisht të fillojë me shlyerjen  e pagave të tyre dhe njëherë e përgjithmonë të ndërpritet vonesa e pagave të tyre.
 
“Kolegët tanë nga NP “Pyjet e Maqedonisë” para tre ditësh unanimisht morën vendim që prej sot të fillojnë grevën, për shkak kërkesës së tyre për shlyerjen e pagave të tyre në mënyrë të rregullt. Presim sot që udhëheqësia e Ndërmarrjes Publike të vetëdijësohet dhe do t’ua shlyejë pagën kolegëve tanë, sepse nëse nuk e bën këtë, greva do të vazhdojë edhe në periudhën që vjen.”, - deklaroi Sllobodan Trendafillov nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
 
Greva në “Pyjet e Maqedonisë” zhvillohet në atë mënyrë që të punësuarit janë prezent në vendet e tyre të punës, por vetëm nuk i kryejnë obligimet e tyre të punës.
 
Përveç shlyerjes së pagave, të punësuarit në këtë ndërmarrje kërkojnë edhe shlyerjen e rregullt të shtesave që punojnë në terren të cilët sindikalistët thonë se këto mjete ka disa muaj që nuk u paguhen punëtorëve. Rreth 1,800 të punësuar të NP “Pyjet e Maqedonisë” në 30 njësitë në mbarë vendin kanë filluar grevën e përgjithshme, ndërsa ata i mbështet edhe anëtarët e LSM-së. 
 
REXHEP QAMILI