Botë
Shqipëri, mësimdhënësit festojnë 7 Marsin
07.03.2024 15:32
Rreth 30 mijë arsimtarë në të gjithë Shqipërinë festuan ditën e tyre, 7 Marsin...

Rreth 30 mijë arsimtarë në të gjithë Shqipërinë festuan ditën e tyre, 7 Marsin. Mësimi vijoi normalisht, por kjo datë e shënuar nuk u harrua nga nxënësit, të cilët u paraqitën në shkollë me dhurata për mësuesit e tyre.
Presidenti Bajram Begaj zgjodhi që për 7 mars të mirëpriste mësues në pension me kontribute të jashtëzakonshme në arsimin shqiptar.
Urime përcollën edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, ndërsa përfaqësues të opozitës, përpos urimeve bënë thirrje për trajtim më dinjitoz për mësuesit.
Tiranë, bursa për 30 studentë nga Lugina e Preshevës
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, në një takim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës tha se 30 studentë nga kjo zonë, do të përfitojnë bursa e akomodim falas në universitetet e Shqipërisë, por në proces janë edhe projekte të tjera.
“Nuk është e rastësishme zgjedhja e mbështetjes në arsim në Preshevë. Nga arsimi fillon fuqizimi. Përballen me situatë jo të lehtë dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë. Qeveria ka vizion të qartë për të mbështetur në çdo fushë dhe me nisma konkrete shqiptarët e Preshevës. Po shqyrtohen mundësitë për të ofruar mbështetje sesi mund të zhvillohet në fushën e mjekësisë, por edhe në kulturë e media. Edhe projekte të tjera, së pari për të frenuar pasivizimin e adresave dhe njohja e diplomave, se do të kontribuojë në afirmimin e të drejtave, një nga çështjet e integrimit të Serbisë në BE. Garantimi i të drejtave të shqiptarëve dhe fuqizimi i tyre janë prioritet i punës sonë. Do të gjejnë derën e hapur, mbështetje për të punuar së bashku.”, - theksoi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Luginës, Nevzad Luftiu, vlerësoi nismën e Qeverisë shqiptare për të rinjtë e kësaj treve, gjë që sipas tij deri tani ka munguar.
LULJETA NDOKA
