Maqedoni
Konferenca rajonale për gjini dhe siguri, Val: Të hapen dyert e mundësisë për gratë
07.03.2024 16:08
Rajoni ka nevojë për thyerjen e stereotipeve gjinore, sidomos në fushën e sigurisë...

Rajoni ka nevojë për thyerjen e stereotipeve gjinore, sidomos në fushën e sigurisë dhe të hapen dyert e mundësisë për gratë, kjo u konstatua në konferencë rajonale për gjininë dhe sigurinë në organizim të Misionit të OSBE-së në Shkup.
Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val, vlerëson se gratë duhet të ulen në tavolinën ku sillen vendime dhe assesi nuk duhet lejuar që kjo të jetë çështje negociuese.
“Së bashku me partnerët tanë nga Ministria për Punë të Brendshme, misionin në Shkup e përfshiu programin për barazi gjinore në polici dhe nga viti 2015 kjo ka treguar rezultate kuptimplote dhe të matshme. Për shembull me zbatimin e këtij programi, ne arritëm rritje prej 80% të grave në pozicionet e larta menaxhuese të Ministrisë së Brendshme.”, - deklaroi shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val.
Toshkovski: Lufta për fuqizimin e grave duhet të vazhdojë
Ministri i Punëve të Brendshme Toshkovski thekson se edhe pse gratë janë më pak të përfaqësuara në pozita udhëheqëse në organet e zbatimit të ligjit, gjë që mund t'i atribuohet stereotipeve lidhur me punën në polici, lufta për fuqizimin e grave punonjëse në polici duhet të vazhdojë, veçanërisht përmes zhvillimit të vazhdueshëm dhe avancimit të njohurive të tyre.
“Shpresojmë që në të ardhmen të arrijmë nivelin minimal të nevojshëm si brenda numrit total të punonjësve në Ministrinë e Brendshme, ashtu edhe brenda strukturave drejtuese, që shpresoj të jetë rreth 30%, që do të ishte në përputhje me rekomandimet e OSBE-së, një përqindje minimale e kënaqshme që të mund të flasim se i kemi plotësuar kushtet fillestare rreth barazisë së të dy gjinive.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Kjo konferencë dyditore ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimin e përvojave, praktikave të mira dhe sfidave në promovimin e barazisë gjinore brenda organeve të zbatimit të ligjit në rajonin e Evropës Juglindore.
SANIJE DURAKU
