Maqedoni

Universiteti i Tetovës, Akademi solemne kushtuar 7 Marsit

07.03.2024 17:20

Në Universitetin e Tetovës u mbajt Akademia solemne kushtuar 7 Marsit - Ditës së Mësuesit...

Në Universitetin e Tetovës u mbajt Akademia solemne kushtuar 7 Marsit - Ditës së Mësuesit. Kryetari i Senatit, Vullnet Ahmeti, tha se UT-ja, gjithmonë i kujton mësuesit e parë të cilët dhanë një kontribut të çmuar për arsimin në gjuhën amtare.
 
Ahmeti tha se këtë vit UT-ja ditën e mësuesit e shënon me themelimin e Fondacionit “Fadil Sulejmani” dhe çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani”, që për këtë vit shkoi për kryeministrin, Talat Xhaferi dhe këngëtarin, Ilir Shaqiri.
 
“Universiteti i Tetovës sivjet e shënon ditën e mësuesit me dy kurorëzime të rëndësishme. Senati i UT-së ka themeluar fondacionin “Fadil Sulejmani”, që do jetë dorë e zgjatur për studentët me vështirësi ekonomike dhe çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani”. Nëpërmjet kësaj duam ta ruajmë kujtimin e përhershëm për rektorin e parë historik të universitetit tonë. Të nderuar të pranishëm Laureat të çmimit kombëtar “Fadil Sulejmani”, për vitin 2024 janë kryeministri i parë shqiptar, Talat Xhaferi dhe zëri i bukur i muzikës shqiptare, z. Ilir Shaqiri.”, - deklaroi kryetari i Senatit në UT, Vullnet Ahmeti.
 
Pas marrjes se çmimit kombëtar “Fadil Sulejmani”, kryeministri Talat Xhaferi dhe këngëtari Ilir Shaqiri, vlerësuan lartë punën e UT-së.
 
“Më lejoni të shpreh falënderimet e mia të sinqerta për vendimin që keni marrë për të më nderuar mua me çmimin kombëtar “Fadil Sulejmani”. Krahas falënderimit dua t’ju siguroj edhe në një gjë, un do të vazhdoj të punoj ashtu siç kam punuar në çdo detyrë që më është besuar deri më tani.”, - theksoi kryeministri, Talat Xhaferi.
 
“Jam shumë me fat që i takoj atij brezi, që vendosi themelet e universitetit të gjuhës shqipe këtu në Tetovë. Atij brezi çlirimtaresh që frymëzuan pavarësinë e Kosovës. Atij brezi që nuk rreshti asnjëherë drejt rrugës së dritës drejt asaj rruge që na e trasuan Rilindësit tanë. Ishte viti 1994, i përpjekjeve intelektuale e popullore të shqiptarëve në Maqedoni, për të vënë themelet e universitetit në gjuhën shqipe.”, - theksoi këngëtari, Ilir Shaqiri.
 
Nuk kanë munguar edhe festimet nëpër shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë për ndër të Ditës se mësuesit. Ndërsa sot e nesër në galerinë e Arteve në Tetovë do të jetë ekspozita e organizuar nga disa profesorë të shkollës së mesme tekstile bashkë me nxënësit për nder të kësaj dite.
 
VISAR SADIKI