Fshati Rezallë, rivarrosen mbetjet mortore të gjetura në Rudnicë

05.04.2015 18:43

Në prani të familjarëve dhe zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, në fshatin Rrezallë të komunës së Skënderajt, u bë rivarrimi i mbetjeve mortore të 28 viktimave të identifikuara në varrezën masive në Rashkë të Serbisë...

Ceremoni e rivarrimit u bë në të njëjtën ditë kur edhe shënohet 16-vjetori i masakrës së Rrezallës, gjatë së cilës ushtria dhe policia serbe kishte ekzekutuar 98 banorë të këtij fshati dhe fshatrave afër tij. 

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur nga Qeveria e Kosovës, Prenk Gjetaj, tha në ceremoninë e rivarrimit se për gjetjen dhe identifikimin e këtyre personave është bërë një punë e madha nga autoritetet vendore të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.

Kurse, nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, deklaroi se me këto mbetje mortore që janë gjetur në Rashkë, Serbia është munduar t’i fshehë krimet e bëra ndaj popullit shqiptar.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë ditës bëri homazhe pranë mbetjeve mortore të 28 viktimave të identifikuara, në fshatin Rrezallë të Skënderajt.  Varreza masive në Rudnicë ishte zbuluar në dhjetor të vitit 2013, ndërsa ekipet mjeko-ligjore dyshojnë se në këtë varrezë janë rreth 250 trupa të varrosur të shqiptarëve.

Familjarët e personave të pagjetur thonë se asnjëherë nuk do të ndalen deri se të gjendet edhe personi i fundi i pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Në nivel të Kosovës, konsiderohet se ende mbesin të pagjetur edhe 1,653 persona.