RREGULLAT PËR RAPORTIM MEDIAL PËR ZGJEDHJET PRESIDENCIALE DHE PARLAMENTARE 2024, SERVISI I DYTË PROGRAMOR NË GJUHËN SHQIPE - TVM2

09.03.2024 18:54

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 

Rregullat paraqesin funksionalizimin e obligimeve të Transmetuesit Publik - Servisi i dytë programor në gjuhën shqipe -TVM2, për të mbuluar proceset zgjedhore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Sipas Rregullores zgjedhore, Servisi Publik është i obliguar që në programet e veta të sigurojë mbulim të drejtë, të balancuar dhe të paanshëm të zgjedhjeve dhe të ofrojë qasje  për të gjithë pjesëmarrësit në të gjitha format e përfaqësimit zgjedhor në media - lajme, programe speciale informative dhe përfaqësim politik pa pagesë gjatë fushatës zgjedhore. Gjithashtu, në bashkëpunim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), TVM2 është e obliguar që t'i informojë qytetarët për mënyrën dhe teknikën e votimit dhe për informacionet e tjera lidhur me procesin zgjedhor.

Këto Rregulla do të  përcaktojnë se në cilat lloje të programeve TVM2 do t'ë mbulojë procesin zgjedhor, si dhe  do të sublimojë obligimet, të përcaktuara sipas Ligjit për Media, në pajtim me standardet për sigurimin e të drejtës së përgjigjes dhe korigjimit të informacioneve të publikuara.

Rregullat do të zbatohen nga dita e shpalljes së zgjedhjeve  deri në përfundimin e tyre.

 

II. MBULIMI I ZGJEDHJEVE NË LAJME

 

Lajmet nga shpallja e zgjedhjeve deri në fillim të fushatës zgjedhore

TVM2  në periudhën nga  dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës zgjedhore do të respektojë në vazhdimësi standardet dhe parimet për prodhim të programeve të përcaktuara në bazë të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, standardet profesionale  të gazetarit  që burojnë nga  Kodi  Etik i gazetarëve dhe të TVM2, si  dhe rregullat për mbulimin e zgjedhjeve përmes raportimit të balancuar për aktivitetet e partive politike nga pushteti dhe opozita që përfaqësohen në Kuvend. TVM2 do të informojë edhe për aktivitetet e subjekteve politike që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.

 

Lajmet gjatë fushatës zgjedhore dhe shpërndarja e kohës

Servisi i Dytë programor pranë RTM-së,(TVM2)  në mënyrë të detajuar do të mbulojë aktivitetet e fushatës zgjedhore në edicionet informative si vijojnë:

- Në servisin e Dytë programor  të RTM-së, (TVM2) në edicionet e lajmeve në ora 16:00 dhe 18:30 minuta.

 -TVM2 në edicionet e tjera të lajmeve do të raportojë për aktivitetet e fushatës zgjedhore në një shkallë më të vogël dhe do të respektojë rregullat për informim  të drejtë, të balancuar dhe të paanshëm të zgjedhjeve.

Sipas nenit 76-të, alinea 2 të Kodit Zgjedhor, Servisi Publik është i detyruar që gjatë fushatës zgjedhore të sigurojë qasje të barabartë në programin informativ, në mënyrë që 30%  e kohës të ju kushtohet informacioneve për ngjarjet e ditës  nga vendi, rajoni dhe bota, 30% të kohës për aktivitetet e partive politike në pushtet, 30% e kohës për aktivitetet e partive politike  në opozitë, si dhe 10% e kohës  për aktivitetet e partive politike të cilat nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.  

 Parimet gjatë raportimit do të jenë si vijon:

-Për  zgjedhjen e Presidentit të Republikës  në pajtim me parimin, barazi për të gjithë kandidatët  për president të Republikës, në raundin e parë dhe atë të dytë të zgjedhjeve;

-Për zgjedhjen e deputetëve në Kuvend, në pajtim në bazë të parimit proporcional sipas numrit të listave të konfirmuara me kandidatë për deputetë.

Dispozita ligjore nuk parashikon  kohë për aktivitetetet e kandidatëve të pavarur, respektivisht  grupit të zgjedhësve, por marrë parasyshë pozitën dhe obligimet e Servisit Publik radiodifuziv  në shoqëri, TVM2, për aktivitetetet e kandidatëve të pavarur do të informojë në kuadër të kohës së ndarë prej 10%,  e cila u dedikohet informacioneve nga fushata e partive politike të cilat nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin Republikan.

Informacionet për aktivitetetet nga fushata e partive politike  në pushtet  dhe në opozitë do të emetohen me rotacion, përmes raportimit të drejtë, të balancuar dhe të paanshëm.

Në kuadër të edicioneve informative-lajmet, në pjesën e rezervuar për  ngjarjet  nga vendi dhe bota, TVM2 do të raportojë dhe njoftojë për  aktivitetet e rregullta të organeve shtetërore, organeve komunale, qytetit të Shkupit, institucioneve shtetërore, organizatat, si dhe për veprimtaritë e personave juridikë dhe personave të tjerë, të cilëve u është besuar me ligj ushtrimi i pushtetit publik.  

Marrë parasyshë  obligimet ligjore që dalin nga neni 76-të,  alinea 12 e Kodit Zgjedhor, ku qartë përcaktohet se që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, deri në përfundimin e tyre, raportimi për aktivitetet e rregullta të organeve shtetërore, organeve komunale  dhe Qytetit të Shkupit, të institucioneve dhe organizatave shtetërore si dhe për aktivitetet e personave juridik dhe personave të tjerë, të cilëve me ligj u është besuar kryerja e kompetencave publike, nuk   guxon të jetë në funksion të prezantimit zgjedhor mediatik të asnjë subjekti politik, andaj TVM2 për të njejtat do të informojë në përputhje me ligjin dhe dispozitat ligjore përmes zhanreve të përshtatshme gazetareske. 

 

III. ZGJEDHJET NË PROGRAMET E TJERA INFORMATIVE

Marrë parasyshë nevojën që qytetarët të jenë të informuar për programet dhe pikëpamjet e të gjitha subjekteve politike relevante, si dhe dallimet në pikëpamjet dhe politikat e tyre, veçanërisht gjatë periudhës zgjedhore, TVM2 gjatë zgjedhjeve do të fokusohet në transmetimin e debateve zgjedhore në kuadër të  programacionit të saj informativ. Nga ky debat qytetarët do të mund të informohen për pikëpamjet si dhe qëndrimet e kandidatëve.

Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në heshtjen zgjedhore, TVM2 do të organizojë emisione debative, përkatësisht përballje mes partive politike shqiptare më të mëdha, nga pushteti dhe opozita, si dhe pjesëmarrësit e tjerë në procesin zgjedhor, varësisht nga mundësitë.

TVM2 do të përcaktojë rregullat për debat që do të vlejnë për pjesëmarrësit në debat.

Udhëheqësi i debatit duhet të veprojë sipas parimeve etike dhe profesionale: të jetë i paanshëm dhe neutral ndaj të gjithë pjesëmarrësve në debat. TVM2 do të organizojë debat pavarësisht nëse ndonjë parti politike anulon pjesëmarrjen. Në një rast të tillë një ulëse lihet bosh, publiku do të njoftohet për arsyen e mungesës, ndërsa debati do të vazhdojë me pjesëmarrësit e tjerë të pranishëm në studio.

Intervistat

Intervistat do të realizohen me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të obliguara për organizimin e zgjedhjeve të drejta  dhe demokratike. Nëse është e nevojshme, varësisht nga lloji i procesit zgjedhor, TVM2 do të transmetojë edhe intervista me kandidatët e konfirmuar në zgjedhje ose me përfaqësues të partive politike.

 

IV. PROGRAME TË TJERA INFORMATIVE DHE ARGËTUESE

Nga  dita e shpalljes së  zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre, TVM2  nuk do të raportojë për aktivitetet parazgjedhore në emisionet e tjera informative, apo argëtuese. Programet e TVM2 që përmbushin një funksion mediatik edukativ dhe argëtues nuk do të përdoren për të përfaqësuar pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, as për intervista me bartës të funksioneve publike.

 

V. RAPORTIMI MBI SONDAZHET E OPINIONIT PUBLIK

TVM2 do të raportojë për rezultatet e anketave të opinionit publik, vetëm nëse  porositësi i sondazhit njihet dhe nëse hulumtimi është realizuar në mënyrë reprezentative.

Gjatë publikimit të rezultateve nga sondazhet (hulumtimet) e opinionit publik, do të respektohen këto parime:

- E domosdoshme të publikohen këto të dhëna: emri i porositësit të hulmtimit, i cili njëkohësisht ka paguar sondazhin, emri i institucionit që e ka realizuar sondazhin, metodologjia e aplikuar, madhësia dhe struktura e kampionit të hulumtuar si dhe periudha në të cilën është kryer hulumtimi;

- Të informojë për marzhin e gabimit, veçanërisht kur diferenca midis pretendentëve është brenda kufirit;

- Rezultatet e sondazheve të opinionit publik lidhur me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor do të publikohen, jo më së voni se pesë (5) ditë, para ditës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve për rrethin e parë dhe të dytë të votimit;

- Rezultatet e sondazhit të opinionit publik të kryera në ditën e zgjedhjeve nuk do të shpallen para orës 19:00, pra para mbylljes së qendrave të votimit.

 

VI. HESHTJA ZGJEDHORE

Gjatë heshtjes zgjedhore, TVM2 do të vazhdojë të raportojë për procesin zgjedhor dhe procesin e votimit. Nuk do të transmetojë përmbajtje ku mund të konsiderohet shkelje e heshtjes zgjedhore. Prandaj, nuk do të publikojë:

- Çdo informacion, fotografi, material audio dhe audiovizuel që lidhet ose përfshin pjesëmarrësit në zgjedhje;

- Çdo formë e raportimit mediatik, qoftë e hapur ose e fshehur, në funksion të fushatës zgjedhore të dikujt dhe mund të ndikojë në vendimin e votuesve;

- Të dhënat që zbulojnë identitetin e subjekteve politike apo dhe të individëve të përfshirë në incidente, apo parregullsi të tjera në ditën e votimit;

- Deklarata nga kandidatët në procesin zgjedhor, nga pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore, nga përfaqësues të partive politike, si dhe bartës të funksionit në organet e pushtetit.

 

 VII. PREZANTIMI  POLITIK PA PAGESË

Në përputhje me obligimet për transmetim të prezantimit politik pa pagesë nga Kodi Zgjedhor, në  periudhën gjatë fushatës zgjedhore, TVM2 do të mundësojë transmetim  të prezantimit pa pagesë për pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Koha e prezantimit politik pa pagesë të secilit prej pjesëmarrësve në procesin zgjedhor do të përcaktohet sipas parimeve të mbulimit të balancuar të zgjedhjeve (barazisë, respektivisht  proporcionalitetit) të përcaktuar në nenin 75-të, të Kodit Zgjedhor.

Para fillimit të fushatës zgjedhore, TVM2 do të shpallë orarin për regjistrimin dhe transmetimin e prezantimit politik pa pagesë.

Prezantimi politik falas i shërbimeve programore televizive do të transmetohet në periudhën nga ora 16:00-23:00.

Prezantimi politik falas do të shënohet në mënyrë  adekuate si "prezantim politik pa pagesë", edhe atë gjatë gjithë kohëzgjatjes së transmetimit.

 

 VIII. E DREJTA E KORIGJIMIT DHE PËRGJIGJES

Kush mund të kërkojë publikimin e një korigjimi/përgjigje?

Çdo pjesëmarrës në procesin zgjedhor (kandidat, parti politike, koalicion, etj.), si dhe çdo person fizik apo juridik, ka të drejtë nga TVM2, respektivisht nga redaktori përgjegjës në TVM2, pa kompensim të kërkojë që të publikohet:

- Korigjim i informacionit të publikuar, në të cilën janë shkruar të dhëna të pa sakta, të publikuara në informacion, me ç’rast janë shkelur të drejtat apo interesat e tij, ose;

- Përgjigje ndaj informacionit të publikuar, nëse i njëjti lidhet me faktet e publikuara në informacion apo me interesin legjitim të tij;

- Kërkesa për publikimin e korigjimit, respektivisht të përgjigjes, të paraqitet në formë të shkruar;

- Me sqarim dhe të firmosur nga dorëzuesi, me të gjitha të dhënat  e nevojshme për të;

- Të dhënat, të cilave i referohet të jenë të qarta, me datë të saktë të kohës kur është transmetuar informacioni.

 

 Afati i publikimit dhe kushtet e tjera

                 Gjatë procesit zgjedhor, korigjimi, respektivisht përgjigja do të publikohet në edicionin e rradhës të programit ku është emetuar informacioni paraprak, të cilit i referohet. Nëse kërkesa për korigjim, përkatësisht përgjigja nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor, atëherë për publikimin e tij, do të aplikohet zbatimi i dispozitave të përcaktuara në Ligjin për media (“Gazeta zyrtare e RM” nr. 184/2013 dhe 13/2014).