Botë

Eskobari viziton Kosovën, temë e bisedimeve, dialogu dhe dinari

11.03.2024 12:02

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, do të vizitojë këtë javë Prishtinën...

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, do të vizitojë këtë javë Prishtinën. Siç ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit, Eskobar pritet të bisedojë me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb.
 
Eskobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti duken të tensionuara, për shkak të çështjes së dinarit serb, përdorimin e të cilit Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.
 
Muajin e kaluar, Eskobari tha se "lidershipi në Prishtinë nuk po e trajton ShBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb. Ne jemi shumë të shqetësuar, sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin ShBA-ja është e përkushtuar plotësisht.”, u shpreh Eskobari.