Botë
Haiti, kryeministri i Haitit ka pranuar të japë dorëheqjen
12.03.2024 12:16
Kryeministri i Haitit, Ariel Henri, ka pranuar të japë dorëheqjen pas disa javësh presioni dhe dhune në vend...

Kryeministri i Haitit, Ariel Henri, ka pranuar të japë dorëheqjen pas disa javësh presioni dhe dhune në vend. Vendimi vjen pas takimit të krerëve rajonalë në Xhamajka për të diskutuar tranzicionin politik të Haitit.
Kryeministri Henri, i cili është ende i bllokuar në Porto Riko pasi bandat e armatosura e pengonin të kthehej në shtëpi, tha se do të jepte dorëheqjen pasi të formonte një këshill presidencial kalimtar.
“Pasi Këshilli i Ministrave ra dakord për krijimin e një këshilli presidencial kalimtar, anëtarët e këshillit do të zgjidhen me marrëveshje me sektorë të ndryshëm të jetës kombëtare. Qeveria që unë drejtoj do të ndryshojë menjëherë pas formimit të këshillit të përmendur.”, - theksoi kryeministri i Haitit, Ariel Henri.
Ariel Henri ka udhëhequr vendin që nga vrasja e ish-presidentit në korrik të vitit 2021, por kryeqyteti i Haitit, Port-o-Prenc dhe rajoni përreth janë në gjendje të jashtëzakonshme gati një muaj dhe shtetrrethimi gjithashtu është zgjatur e kjo ka sjellë deri tek dorëheqja e menjëhershme e tij.
FITORE DEMOLLI
