Botë
Rripi i Gazës, Guterres apelon për armëpushim gjatë Ramazanit
12.03.2024 13:55
Ramazani filloi nën hijen e sulmeve të vazhdueshme në Rripin e Gazës....

Ramazani filloi nën hijen e sulmeve të vazhdueshme në Rripin e Gazës. Në jug të Rafahut, mbrëmjen e djeshme një sulm ajror nga forcat izraelite vrau të paktën tre persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Në kohë paqeje, banorja e Rafah, Randa Baker, e kishte dekoruar shtëpinë e saj për Ramazan, mirëpo tani ai gjest për të nuk ka asnjë rëndësi.
“Ramazani nuk do të thotë asgjë për mua tani. Shtylla e shtëpisë është zhdukur. Qëndrojmë pa ushqim, pa pije. Situata është e keqe. Ramazani nuk është Ramazan kështu.”, - u shpreh gruaja e zhvendosur nga Gaza, Randa Baker.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje të dyja palëve ndërluftuese që të respektojnë frymën e muajit të shenjtë mysliman dhe të heshtin armët e tyre.
“Apeli im më i fortë është që të respektojmë frymën e Ramazanit duke heshtur armët dhe duke hequr të gjitha pengesat për dërgimin e ndihmave humanitare. Në të njëjtën kohë, bëj thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Ndërsa uria e paprecedentë mbretëron në veri, anija e parë me 200 ton ushqime dhe ndihma të tjera humanitare është nisur nga Qipro.
Në të njëjtën kohë, Izraeli po sulmon thellë në Liban. Dy objekte të Hezbollahut u goditën në përgjigje të sulmeve në lartësitë Golan. Lufta vazhdon në Detin e Kuq. ShBA-ja shkatërroi një nëndetëse pa pilot dhe 18 raketa kundër anijeve në zonat e kontrolluara nga Huthi të Jemenit.
“Ne shënjestruam avionin amerikan “Pinokio”, me një numër raketash detare të ngjashme e goditëm atë. Theksojmë se operacionet ushtarake do të përshkallëzohen gjatë muajit të Ramazanit në mbështetje të popullit të shtypur palestinez.”, - deklaroi zëdhënësi ushtarak i Huthit, Jahja Sari.
Negociatorët po punojnë intensivisht për të gjetur një formulë paqeje, ndërsa situata në rajon po përshkallëzohet. Presioni ndaj Izraelit po rritet gjithashtu. Australia i ka kërkuar Tel Avivit të ndryshojë rrjedhën e luftës në Gazë për të ruajtur mbështetjen ndërkombëtare.
FITORE DEMOLLI
