Maqedoni
Raporti i GREKO-s, përparim në implementimin e rekomandimeve
12.03.2024 15:25
Grupi i shteteve kundër korrupsionit në Këshillin e Evropës në raportin më të ri për RMV-në...

Grupi i shteteve kundër korrupsionit në Këshillin e Evropës në raportin më të ri për RMV-në për pengimin e korrupsionit tek deputetët, gjykatësit dhe prokurorët, vlerëson se vendi ka shënuar përparim në implementimin e rekomandimeve në krahasim me raportin paraprak. Katërmbëdhjetë nga nëntëmbëdhjetë rekomandimet janë zbatuar në masë të kënaqshme, katër rekomandime janë zbatuar pjesërisht dhe një rekomandim nuk është zbatuar dhe ajo është anëtarësimi i ministrit të Drejtësisë në Këshillin Gjyqësor.
Edhe pse ministri është anëtar sipas detyrës zyrtare dhe nuk ka të drejtë vote, GREKO kërkon që ai të largohet plotësisht nga Këshilli, për të cilin duhet të ndryshohet Kushtetuta. GREKO vlerëson se kjo ende i jep hapësirë ministrit të Drejtësisë të ndikojë politikisht gjatë vendimmarrjes në këshill.
GREKO shpreh keqardhjen që nuk ka përmirësim në sistemin e sanksionimit të deputetëve të parashikuar nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit. Nuk janë të kënaqur me shqyrtimin sipërfaqësor të gjendjes pronësore të deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të raportuar në pyetësorët.
“Pjesa më e madhe e shkeljeve janë konstatuar vetëm mbi baza thjesht procedurale dhe jo me një kontroll të thelluar. Informacionet për një kontroll më të thelluar të deklaratave të interesave është dhënë vetëm për një pjesë të deputetëve. Asnjë deputet nuk është sanksionuar për mospërputhje të gjendjes pronësore me listën e anketimit.”, thuhet në raport.
Ndërkohë, theksohet se sanksionet dhe masat disiplinore për gjykatësit e pandërgjegjshëm nga viti 2019 janë të precizuara në ligj, por që edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hetuar gjykatësit sa i përket gjendjes pronësore. Edhe më tej mbeten problem prokurorët dhe dënimet për punë jo të ndërgjegjshme dhe joprofesionale, që jo vetëm se janë të rralla, por edhe me ligj po kufizohen. GREKO rekomandoi që të zhvillohen rregulla dhe standarde për prokurorët në lidhje me pranimin e dhuratave.
FLORIJE KAMBERI
