Maqedoni

Listat e partive për zgjedhjet parlamentare, LSDM: Procedura brendapartiake ka mbaruar

12.03.2024 15:51

Partitë politike dalëngadalë kompletojnë listat për zgjedhjet parlamentare...

Partitë politike dalëngadalë kompletojnë listat për zgjedhjet parlamentare. Për njësinë e parë zgjedhore është zyrtar vetëm emri i Kovaçevskit. Në njësinë e dytë zgjedhore është planifikuar nënkryetarja, Sanja Lukarevska. Në njësinë zgjedhore 3 përflitet se bartës do të jetë Oliver Spasovski. Në katërshe, në opinion po rikthehet emri i ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe. Në njësinë zgjedhore 5 ende nuk ka ndonjë emër, ndërsa për njësinë 6, bartëse pritet të jetë ministrja e Mbrojtjes, Slavjana Petrovska. Nga LSDM-ja thonë se procedura brendapartiake për përcaktimin e listave parlamentare ka mbaruar. Ndërsa listat parlamentare të VMRO-DPMNE-së i cilësojnë kuadro të vjetër. 
 
“Procedura e brendshme partiake dhe konsultimi me partnerët e koalicionit është drejt fundit dhe shumë shpejt do të dalim me listat e plota të përbëra me kuadro cilësore. Në raport me bartësit e shpallur nga VMRO-DPMNE-ja, janë po të njëjtit kuadro të vjetra të vitit 2019 dhe 2021, kuadro që e çojnë shtetin në izolim, mungesë, kthim prapa, bllokime dhe pengesa.”, - deklaroi zëdhënësi i LSM-së, Darko Kaevski.
 
Lefkov: Pendarovski, politikan pa qëndrim
 
Edhe nga VMRO-DPMNE-ja me akuza ndaj përzgjedhjes së LSDM-së që Pendarovski të garojë sërish për president. Sipas partisë së Mickoskit, ai nuk mund t’u ofrojë asgjë qytetarëve. 
 
“Si mund t'i besojnë qytetarët Pendarovskit, kur ai jo vetëm që ndryshon pikëpamjet e tij, por bën edhe të kundërtën diametralisht, nga "ndryshimi i Kushtetutës është jashtë mendjes" në "ndryshimi i Kushtetutës është krejtësisht mirë". Me të drejtë populli thotë se ne nuk kemi shtet, me Pendarovskin president po e humbim çdo ditë, është koha ta kthejmë shtetin.”, - theksoi Mile Lefkov nga VMRO –DPMNE.
 
VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni shpallën bartësit e listave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mbetet i panjohur vetëm bartësi i listës për njësinë e pestë zgjedhore. Hristijan Mickoski ka konfirmuar emrat e bartësve të listave të VMRO-DPMNE-së në 5 njësi zgjedhore. Ai do të jetë bartësi i listës parlamentare në njësinë e parë zgjedhore. Bartës i dyshes do të jetë Vllado Misajlovski; në njësinë e tretë, deputeti Dragan Kovaçki; në njësinë e katërt, nënkryetari i partisë dhe deputeti, Aleksandar Nikolovski; ndërsa në njësinë e gjashtë, Dafina Stojanovska. Ndërsa kandidatë të mundshëm për bartës janë kryetari i Ohrit, Kiril Petsakov ose sekretari i përgjithshëm i partisë, Gjorgija Sajkoski.
 
Këto janë zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale që partia e integristëve do të garojë në koalicion me 4 parti tjera shqiptare. Si rrjedhojë e koalicionimit, listat e parlamentareve do të jenë me emrat e kandidatëve të 5 subjekteve politike. Jo zyrtarisht flitet se në njësinë e parë zgjedhore do të jetë Blerim Bexheti, e pas tij në listë është lideri i LP-së, Skender Rexhepi Zejd. Në njësinë zgjedhore 2, bartës pritet të jetë Sadulla Duraku ose Ilir Hasani. Në njësinë e 5 bartës pritet të jetë Ziadin Sela, ndërsa i dyti, Musa Xhaferi. Njësia e 6, në të cilën forcat i matin liderët e bllokut politik shqiptar, do të udhëhiqet nga Ali Ahmeti. Në opinion flitet edhe për listat e koalicionit VLEN. Në zonën 1 si bartës liste pritet të jetë Izet Mexhiti, bartës liste në njësinë zgjedhore 2, flitet lideri i Alterantivës, Afrim Gashi. Kreu i lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami do të garojë si bartës liste në zonën 6.    
 
SANIJE DURAKU