Shqipëri, Gjykata e Lartë, SPAK-u të hetojë “21 janarin”
12.03.2024 16:21
Gjykata e Lartë mori sot një vendim historik...

Gjykata e Lartë mori sot një vendim historik që dosja për vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm më 21 janari të vitit 2011 të hetohet nga SPAK-u. Vendimi vjen pasi Gjykata e Strasburgut e quajti një krim shtetëror, ndaj me verdiktin e sotëm të Gjykatës së Lartë, SPAK-ut i kërkohet të regjistrojë procedim penal për Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin.
Vendimi erdhi pasi togat e zeza dëgjuan pretendimet e palëve lidhur me kërkesën e familjes së Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011. Familja kërkoi shfuqizimin e vendimeve të mëparshme dhe rihapjen e hetimit për vrasjen e ndodhur në mes të ditës, para kryeministrisë.
Avokati Idajet Beqiri tha se SPAK-u ka bërë rolin e “një të padituri të madh” deri më tani dhe përmendi dhe vendimin e gjykatës së Strasburgut, i cili i kërkon shtetit të hetojë dhe ndëshkojë zinxhirin komandues.
"Nuk është gardisti ushtari që organizoi një krim shtetëror, prandaj hetimin duhet ta kishte bërë SPAK-u.", tha avokati i familjes, Idajet Beqiri.
Por prokurori, përfaqësues i SPAK-ut, Alfred Shehu, kërkoi të refuzohet rekursi pasi “dosja po hetohet nga Prokuroria e Tiranës".
Edhe pse kanë kaluar 13 vite nga kjo ngjarje, për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën ende nuk është bërë drejtësi, ndërsa SPAK-u është shpresa e vetme për familjarët. (Luljeta Ndoka, TVM2)
