Botë
Eskobar përshëndet vendimin për Manastirin e Deçanit, Eskobar: Të zbatohen marrëveshjet e dialogut
13.03.2024 13:53
I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar...

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që t’ia njeh Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë, siç e parasheh vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Është shumë i rëndësishëm vendimi i sotshëm për manastirin. Ishte hap i vështirë, por i domosdoshëm. I falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap.”, - deklaroi i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Eskobar.
Eskobari këtë e theksoi pas takimit në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me ç’rast ka ftuar Serbinë që të japin llogari për sulmin terrorist të 24 shtatorit. Njëherit ai ftoi të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke kërkuar specifikisht zbatimin e plotë nga ana e Serbisë.
“Jemi tepër të shqetësuar edhe për ngjarjet e 24 shtatorit dhe e ftojmë Serbinë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm. Siç e përmendi presidentja Osmani, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur marrëveshje historike. Ftojmë Serbinë të vazhdojë me zbatimin. Nuk duhet vetëm përpjekja unilaterale e Kosovës dhe marrja e vendimeve të zorshme e të vështira nga ajo, që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet.”, - theksoi i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Eskobar.
Osmani: Zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë
Presidentja Osmani theksoi nevojën për zbatim të plotë dhe jo të pjesshëm të marrëveshjeve në kuadër të dialogut.
“Procesi i dialogut me Serbinë, proces në të cilin jemi thellësisht të përkushtuar, kam potencuar gjatë takimit se suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe e barabartë e ndërmjetësuesit, BE-së, dhe se është kruciale të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara vitin e kaluar, veçanërisht të marrëveshjes bazike të shkurtit të vitit 2023 dhe aneksit të Ohrit të marsit të vitit 2023, andaj qasja selektive vetëm ndaj neneve të caktuara të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojë, sepse të gjitha nenet kanë rëndësi, prandaj zbatimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm.”, - u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani njëherit ka theksuar se bashkëpunimi me aleatët, e veçanërisht me ShBA-në është bosht i veprimeve të institucioneve, pasi roli i ShBA-së mbetet kyç për përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut, e cila do të dërgonte në njohje të ndërsjellë.
GYLTENE SINANI
