Botë

Përdorimi i armëve bërthamore në Ukrainë, ShBA: Nuk ka tregues se Moska mund t’i përdorë

14.03.2024 12:12

Shtëpia e Bardhë tha se nuk sheh ndonjë tregues se Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore në Ukrainë...

Shtëpia e Bardhë tha se nuk sheh ndonjë tregues se Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, pas deklaratave të presidentit rus, Vladimir Putin, se ai është i gatshëm ta bëjë këtë, nëse kërcënohet sovraniteti i Rusisë.
 
“Ne nuk kemi parë ndonjë arsye për ta përshtatur qëndrimin tonë bërthamor, e as nuk kemi parë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
 
Duke folur në një intervistë për televizionin shtetëror, e cila u publikua më 13 mars, Putini e përshkroi presidentin amerikan, Xho Bajden, si një politikan veteran, i cili i kupton rreziqet e mundshme të përshkallëzimit dhe tha se nuk mendon se bota po shkon drejt një lufte bërthamore. Në të njëjtën kohë, ai tha se forcat bërthamore të Rusisë janë në gatishmëri të plotë dhe se “nga pikëpamja tekniko-ushtarake, ne jemi të gatshëm”.
 
Putini tha se Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore, në rast se kërcënohet “ekzistenca e shtetit rus, sovraniteti dhe pavarësia”. Një kërcënim të tillë ai e bëri edhe gjatë një fjalimi para kombit në shkurt, kur e paralajmëroi Perëndimin se thellimi i përfshirjes së tij në luftën në Ukrainë rrezikon nxitjen e një lufte bërthamore.