Milevski shpall listën, do të debutoj Lirim Qamili
14.03.2024 12:44
Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në futboll, Blagoja Milevski...

Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në futboll, Blagoja Milevski, ka publikuar listën e futbollistëve që do të grumbullohen për ndeshjet e ardhshme miqësore me Moldavinë dhe Malin e Zi, të cilat do të luhen javën e ardhshme në Antalia të Turqisë. Ashtu edhe siç paralajmërohej, në këtë dyluftim do të debutojë sulmuesi Lirim Qamili, i cili luan për Danish Hvidovre, prej nga vjen edhe mbrojtësi Ahmed Iljazovski. 25-vjeçari Qamili ka pasaportë maqedonase edhe pse ka lindur në Danimarkë. Ai po luan në formë të shkëlqyer këtë vit, në pjesën e dytë të kampionatit danez, me tre gola të shënuar në katër ndeshje. Bëhet fjalë për një sulmues të fuqishëm, 190 cm të gjatë, me shpejtësi të jashtëzakonshme, i cili mund të luajë edhe në pozicionet sulmuese të krahut.
Lajm i mirë për mbrojtjen është rikthimi i Darko Velkovskit, i cili po rikthehet në ekip pasi më në fund gjeti një angazhim të ri klubi dhe tashmë ka zhvilluar disa ndeshje cilësore në fanellën e Dinamos së Bukureshtit. Pjesa tjetër e ekipit është thuajse e njejta, pa ndryshime të mëdha në krahasim me grumbullimet e mëparshme, me përjashtim të të lënduarve Isnik Alimi dhe Arijan Ademi, i cili përfundoi karrierën e tij përfaqësuese.
“Ndeshjet kundër Moldavisë dhe Malit të Zi janë shumë të rëndësishme për ne në përgatitjet për kualifikueset e ardhshme, me theks të veçantë në forcimin e atmosferës së mirë. Duhet të hyjmë në stërvitje dhe ndeshje seriozisht, me përgjegjësi dhe vendosmëri. Këtë do ta kërkoj nga të gjithë në ekip. Fokusi do të jetë në idetë taktike dhe se si duhet të dukemi në Ligën e Kombeve, dhe kjo do të thotë një lojë në të cilën do të jemi racional, të zgjuar, agresiv, kompakt dhe të fokusuar”, është shprehur pas publikim të listës, seleksionuesi Bllagoja Milevski.
Ndryshe, grumbullimi i ekipit do të jetë të dielën me 17 mars, direkt në Antalia, aty ku do të luhen ndeshjen miqësore me Moldavinë më 22 mars dhe me Malin e Zi tre ditë më vonë.