Botë

Manastiri i Deçanit, opozita: Kurti në pushtet me kauza të rrejshme

14.03.2024 14:00

Opozita në Kosovës ka vlerësuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakontestuara dhe janë të zbatueshme...

Opozita në Kosovës ka vlerësuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakontestuara dhe janë të zbatueshme, por kanë kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, se në të kaluarën ka mashtruar opinionin me qëndrimin se nuk do të pranojë t’i jepet toka Manastirit të Deçanit. Kauzat e rrejshme për ardhje në pushtet janë të dëmshme për shtetin, vlerësojnë nga opozita kosovare. 
 
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakontestuar dhe kur them të pakontestueshëm nënkupton që edhe ato edhe janë të zbatueshme. Është shenjë e pjekurisë demokratike fillimisht për një shtet dhe shoqëri dhe ky ka qenë qëndrimi ynë i gjithhershëm si LDK. Fatkeqësisht Kurti ka zgjedhur me vetëdije të plotë që në kauza të tilla të rrejshme të ndërtojë bazën për ardhjen në pushtet dhe tani në pushtet ka kuptuar se kauzat e rrejshme nuk qëndrojnë, por gjithsesi ato janë të dëmshme.”, - deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 
 
“Shprehja e popullit edhe fik edhe korit, po na ndodh fatkeqësisht me Kurtin në mënyra se si ky po i trajton aleatët, dhe obligimet që i ka marrë me aleatët do t’i kushtojnë Kosovës. Do ta kem një presion të vazhdueshëm për shumë tema tjera, e rrugës do të ishte pas kësaj që ka ndodh dje, Kurti të rikthehet  në planin franko-gjerman.”, - theksoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
 
“Dua të them që unë ua kam tërheq vërejtjen publikisht edhe kur kanë pas dëshirë edhe kur nuk kanë pas dëshirë se është një çështje që duhet të zbatohet. Ka qenë një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe në vendet demokratike, politika nuk mund t’i kontestojë vendimet e gjyqësorit, veçanërisht kur është pyetja Gjykata Kushtetuese. Albini është përpjekur ta bindë opinionin rrejshëm që nuk do ta miratojë kurrë dhënien e tokave Manastirit të Deçanit.”, - u shpreh deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
 
“Siç jemi mësuar, nuk është hera e parë që Kurti del prej premtimeve të tij, ai shumëçka ka premtuar, nuk e ka mbajtur fjalën. Sigurisht edhe në të ardhmen ne duhet të mësohemi me këtë dhe do të kemi rast të tjera. Por, si veprim unë nuk besoj që është i gabuar, është dashur të ndodhë. I gabuar ka qenë që duhet të pranohet dokumenti i Ahtisarit në atë kohë.”, - theksoi kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli.
 
Reagimet e opozitës kanë ardhur pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë ka bërë të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit. Kurti ka sqaruar se këtë e ka bërë për të arritur një qëllim shumë më madhor, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 2016, parasheh transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit. Vendimi i Kurtit u mirëprit nga i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar. 
 
GYLTENE SINANI