Botë

Tërmet në Mal të Zi, 5.4 ballë sipas Rihter, pa dëme të mëdha materiale

14.03.2024 15:33

Një tërmet me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter në 04:06 minuta të ditës së enjte...

Një tërmet me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter në 04:06 minuta të ditës së enjte ka zgjuar nga gjumi qytetarët e Malit të Zi. Epiqendra e tërmetit ishte pesë kilometra në jugperëndim të qytetit Çarode, në komunën e Pluzhinës, në kufirin me Bosnjë dhe Hercegovinën, rreth 72 kilometra nga Podgorica. Pika qendrore ishte në një thellësi prej 14 kilometrash. Instituti bën të ditur se tërmeti, mund të ketë shkaktuar disa dëme materiale në zonën epiqendrore. Pas vlerësimeve është njoftuar se nuk ka rrezik nga cunami.
 
“Në mëngjes rreth orës 4:06 minuta u ndje një tërmet i fortë në rajonin e Komunës së Pluzhinës. Tani për tani nuk ka të dhëna për dëme të mëdha materiale, por ka dëme më të vogla të llojit plasaritje të mureve në atë rajon dhe rrëshqitje dheu në një rrugë lokale.”, - deklaroi drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim pranë MPB-së në Mal të Zi, Miodrag Beshoviq.
 
Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar se do të ndihmojë në riparimin e dëmeve të shkaktuara. Për shkak të rrëshqitjes së tokës, e cila është shkaktuar nga tërmeti, rruga drejt pikës kufitare Kërstac ka qenë e mbyllur për qarkullim deri në orët e para të mëngjesit. Rrëshqitje të dheut ka pasur edhe në disa pjesë të rrugës lokale në Goli. Dridhjet e tërmetit janë ndier edhe në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë deri në Maqedoninë e Veriut.
 
FLORIJE KAMBERI